Shtetet e Bashkuara besojnë se është i nevojshëm një kthim “i shpejt” në bisedimet indirekte në Vjenë mbi marrëveshjen bërthamore me Iranin sepse procesi nuk mund të vazhdojë pafundësisht.
Deklarata u bë nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
Price tha se rruga diplomatike mbetet e hapur dhe vuri në dukje se Teherani kishte thënë se do të kthehej në bisedime “së shpejti”.
“Shpresojmë se ajo që ata kuptojnë me ‘së shpejti’ të përputhet me atë si ne e kuptojmë këtë”, tha Price.
SHBA-ja dhe Irani nuk zhvillojnë bisedime direkte në Vjenë të Austrisë mirëpo me ndërmjetësimin e fuqive evropiane.
Disa raunde të bisedimeve nuk kanë pasur ndonjë sukses.
Palët po synojnë ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të Iranit me fuqitë botërore e cila ishte arritur në vitin 2015. Në vitin 2018 SHBA-ja ishte tërhequr nga kjo marrëveshje, pasi ish-presidenti amerikan, Donald Trump, pati theksuar se ajo nuk ishte e negociuar mirë, dhe se i mundësonte Iranit që në plan afatgjatë të posedojë armë bërthamore.
Që nga ajo kohë Teherani nuk e ka përfillur marrëveshjen duke shtuar angazhimin drejt pasurimit të uraniumit, i cili nëse shkon në 90% të pastërtisë mund të shërbejë për prodhimin e armës bërthamore.
Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Iranit tha të hënën se raundi i ri i diskutimeve mund të fillojë në fillim të nëntorit.