Kina demonstroi një kapacitet të avancuar hapësinor mes testimit në muajin gusht të një rakete hipersonike të aftë të bartë koka bërthamore, thuhet në një raport, pjesë të cilit vetëm tani bëhen publike nga Financial Times. Raketa e lëshuar nga ushtria kineze i ra rrotull globit duke orbituar ulët përpara se të shtonte shpejtësinë drejt shënjestrës. Edhe pse nuk e goditi objektivin duke rënë disa kilometra larg tij, testi demonstroi një aftësi hapësinore të Kinës e cila e zuri në befasi inteligjencën amerikane, që nuk e priste këtë nivel progresi të saj, thanë dy burime për Financial Times.
Sipas tyre, Pekini ka bërë një “përparim mahnitës” me armët hipersonike, shumë më tepër nga sa mendonin zyrtarët amerikanë.
“Ne nuk ia kemi idenë sesi ia arritën një gjëje të tillë”, u shpreh një burim tjetër për gazetën, sipas të cilit kjo armë ka aftësinë ta neutralizojë mbrojtjen antiajrore amerikane.
Disa vende, përfshirë SHBA, Rusinë dhe Kinën, i kanë hyrë një gare për zhvillimin e armëve hipersonike.
Koreja e Veriut njoftoi muajin e kaluar se kishte testuar një raketë të tillë. Mbrojtja nga armët hipersonike është e vështirë sepse ato përgjithësisht fluturojnë ulët drejt shënjestrave të tyre, por mund të arrijnë një shpejtësi 5 herë më të lartë se ajo e zërit, ose rreth 6.200 km/h thotë Reuters.