Lajçak dhe Escobar: Takimi me Vuçiqin ishte i vështirë

“Takim të vështirë” e kanë quajtur takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dy zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar më 25 gusht kanë arritur në Beograd.

Lajçak takoi fillimisht presidentin Vuçiq, dhe gjysmë ore më vonë atyre iu bashkua edhe Escobar.

“Pata një diskutim të vështirë, por të përgjegjshëm me presidentin Vuçiq. I përcolla mesazhet dhe theksova se të gjitha marrëveshjet e dala nga dialogu duhet të zbatohen, përfshirë edhe Marrëveshjen e për Lirinë e Lëvizjes të vitit 2011. Ne do të vazhdojmë bisedimet tona më vonë sonte”, ka shkruar ai në Twitter.

Pas takimit me Vuçiqin, Escobar ka deklaruar se takimi ka qenë “i vështirë dhe i gjatë”.

“Ne vlerësojmë angazhimin e presidentit për paqen dhe stabilitetin. Do të vazhdojmë bisedimet”, tha Escobar.
Për “takim të vështirë” foli edhe presidenti serb.

“Kemi pasur biseda të vështira me Lajçakun dhe Escobarin. Aty ishin edhe ambasadorë të SHBA-së dhe ai i BE-së. Vazhdojmë sonte me bisedime pas orës 22:00”, tha Vuçiq në një video-adresim në Instagram.

“Gjithmonë do të përpiqemi të ruajmë paqen dhe stabilitetin, do të luftojmë për paqen dhe stabilitetin, por asnjë sekond nuk do të devijojmë nga interesat tona jetike, kombëtare shtetërore, mbi të gjitha interesat e popullit tonë. Nuk ka dorëzim”, tha ai.

Takimi i tyre i parë në Beograd ishte me drejtorin e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Peter Petkoviq.