Elon Musk ka treguar se çfarë mendon për Volkswagenin

Ndryshe nga sa pritej, është plot lavdërime për Volkswagenin. Përveçse shkon mirë me liderin e Volkswagenit, Herbert Diess, ai gjithashtu pajtohet se kompania gjermane po shkon në drejtimin e duhur.

Në një intervistë për Financial Times, pronari edhe i Space X deklaroi se VW, së bashku me Teslan, kanë bërë përparimin më të madh në elektrifikimin e veturave.

I pyetur se cili startup i EV i ka bërë më shumë përshtypje, ai befasoi me përgjigjen.

Në vend që të përmendte disa nga rivalët si Nio apo Lucid, Musk tha se “Mendoj se kompania me përparimin më të madh së bashku me Teslan, në fakt është Volkswagen, i cili nuk është një startup, por në fushën e automjeteve elektrike ne mund ta përjetojmë atë si një startup”.

Ky është një vazhdim i historisë miqësore mes të dy bosëve që tashmë kanë pasur rastin të flasin për elektrifikimin, por edhe të provojnë veturat konkurruese.

Në fund të fundit, pasi Diess lavdëroi Teslën dhe Muskin në disa raste, ky gjest ishte disi i pritshëm.

Miliarderi preku edhe prodhuesit kinezë, të cilët i vlerësoi lartë, “mendoj se disa kompani të forta do të vijnë nga Kina. Ka shumë njerëz super të talentuar dhe punëtorë që besojnë në prodhim. Ata janë të gatshëm të qëndrojnë në fabrikë edhe gjatë natës, ndërsa në Amerikë njerëzit po përpiqen të shmangin shkuarjen në punë”, tha 50-vjeçari.

Ai nuk ka dashur të përmendë kompanitë kineze, por duke qenë se Tesla ka një fabrikë në Shangai, është mjaft e qartë se ka një pasqyrë të etikës kineze të punës, por edhe entuziazëm kur bëhet fjalë për zhvillimin e tregut të veturave elektrike.