SHBA: Protesta në gjithë vendin në mbrojtje të së drejtës për abort

Mijëra përkrahës të së drejtës për abort po protestojnë të shtunën në gjithë Shtetet e Bashkuara dhe organizatorët thanë se marshimet do të vazhdojnë gjatë gjithë verës nëse Gjykata e Lartë rrëzon vendimin e çështjes “Roe kundër Wade” që legalizoi abortin në mbarë vendin.

Organizatat “Planned Parenthood”, “Women’s March” dhe grupe të tjera për të drejtat e abortit organizuan më shumë se 400 marshime të shtunën, me pjesëmarrjen më të madhe të pritshme në Nju Jork, Uashington, Los Anxheles dhe Çikago.

Demonstratat janë një reagim ndaj një opinioni paraprak të rrjedhur në media më 2 maj, ku shumica konservatore e gjykatës paraqiste argumentat për anulimin e vendimit historik të vitit 1973 që përcaktoi të drejtën kushtetuese federale për të ndërprerë shtatzëninë.

Vendimi përfundimtar i gjykatës, i cili mund t’u japë shteteve fuqinë për të ndaluar abortin, pritet në qershor. Rreth gjysma e shteteve të SHBA-së mund të ndalojnë ose të kufizojnë ndjeshëm abortin nëse Gjykata e Lartë shfuqizon vendimin që mbron të drejtën e abortit.

Qindra mijëra njerëz priteshin të merrnin pjesë në tubimet e së shtunës, për të cilat organizatorët thane se do të ishin të parat mes shumë protestave të koordinuara rreth vendimit të mundshëm të Gjykatës së Lartë.

“Për gratë e këtij vendi, kjo do të jetë një verë zemërimi,” tha Rachel Carmona, presidente e “Women’s March”. “Ne nuk do të ndalemi derisa kjo qeveri të fillojë të punojë për ne, derisa të pushojnë sulmet ndaj trupit tonë, derisa e drejta për abort të kthehet në ligj.”

Disa mijëra mbështetës të abortit filluan të grumbullohen në një park të Çikagos të shtunën në mëngjes, përfshirë anëtarin e Kongresit Sean Casten dhe vajzën e tij 15-vjeçare, Audrey.

Zoti Casten, distrikti i të cilit përfshin periferitë perëndimore të Çikagos, i tha agjencisë Reuters se ishte “e tmerrshme” që Gjykata e Lartë konservatore po konsideronte heqjen e të drejtës së abortit duke i ndëshkuar grate me “një status më të ulët”.

Demokratët, të cilët aktualisht kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe të dy dhomat e Kongresit, shpresojnë që reagimi ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë do të kontribuojë në fitoren e kandidatëve të partisë së tyre në zgjedhjet e Kongresit në nëntor.

Por votuesit do të peshojnë të drejtat e abortit kundrejt çështjeve të tjera si rritja e çmimeve të ushqimit dhe gazit, dhe ata mund të kenë dyshime për aftësinë e demokratëve për të mbrojtur qasjen ndaj abortit pasi përpjekjet për të miratuar një legjislacion që do të garantonte të drejtat e abortit në ligjin federal, dështuan .

Në Atlanta, më shumë se 400 vetë ishin mbledhur në një park të vogël përpara kapitolit të shtetit.

40 vjeçarja demokrate Elizabeth Murphy tha se beson se mbështetësit e të drejtave të abortit do të dalin të votojnë në zgjedhjet e nëntorit.

“Unë votoj dhe këtë herë po u them të gjithëve që njoh të votojnë,” tha ajo.

Në qendër të Bruklinit, mijëra mbështetës të të drejtave të abortit u mblodhën për të përshkuar Urën e Bruklinit për në Manhatan.

Elizabeth Holtzman, një marshuese 80-vjeçare që kishte përfaqësuar Nju Jorkun në Kongres në periudhën 1973-1981, tha se opinioni paraprak I rrjedhur i Gjykatës së Lartë “i trajton gratë si objekte, si më pak se qenie njerëzore”.

“Unë kam luftuar për të drejtat e grave për 50 vjet dhe nuk do të dorëzohem,” tha ajo.

Mbështetësit e të drejtave të abortit në Uashington u mblodhën tek Monumenti i Uashingtonit për të ecur më pas drejt Gjykatës së Lartë. Protesta ishin parashikuar edhe në Los Anxhelos dhe Austin të Teksasit.

Javën e kaluar, disa protestues shkuan para shtëpive të anëtarëve të Gjykatës së Lartë Samuel Alito dhe Brett Kavanaugh, të cilët sipas variantit paraprak të publikuar në media janë pro përmbysjes së vendimit “Roe kundër Wade”.

Anëtari konservator i Gjykatës, Clarence Thomas tha të premten në një konferencë në Dallas se rrjedhja e informacionit kishte thyer përgjithmonë besimin brenda Gjykatës.

“Kur e humbet besimin, veçanërisht në institucionin ku jam unë, institucioni ndryshohet rrënjësisht,” tha ai.

“Students for Life of America”, një grup kundër abortit me degë në universitete në gjithë vendin, tha se po organizonte kundërprotesta të shtunën në nëntë qytete, përfshirë Uashingtonin.