Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për vizitën e tij në Hagë, ku për më shumë se një vit mbahet si i akuzuar për krime lufte, ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Krasniqi ka thënë se kjo vizitë tregon kujdesin e Ramës për Kosovën dhe rikujton vlerat e përtejkufijshme mes dy vendeve.
“Faleminderit nga zemra Kryeministrit Edi Rama për kujdesin vëllazëror që po tregon ndaj Kosovës. Sot, me vizitën e tij në Hagë, te Presidenti Hashim Thaçi, ai u kujdes për Kosovën dhe na rikujtoi se vlerat tona solidare janë të përtejkufijshme – siç ishin edhe në ditët më të vështira kur populli shqiptar i Kosovës po luftonte për lirinë e tij”, ka shkruar Kryetari Krasniqi në Facebook.
“Kjo vizitë është nderim i lartë ndaj vlerave më të shenjta kombëtare e të historisë më kuptimplotë të popullit shqiptar – luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtën e të cilave djemtë e saj po e bëjnë edhe një betejë”, ka shkruar ai tutje.
Krasniqi ka uruar përmes letrës së Ramës që ia kishte kujtuar Thaçit, që ata “sa më parë të takohen duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën”.