Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar qytetarët për “Ditën e Evropës”.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti thotë se për Kosovën, Bashkimi Evropian fillon në shtëpi duke jetësuar ndryshimet të cilat transformojnë vendin tonë dhe përshpejtojnë anëtarësimin në BE.
Ai tutje shkruan se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor.
Lexoni më poshtë postimin e plotë të Kurtit:
Sot, me 9 maj, në Ditën e Evropës, kujtojmë deklaratën e ministrit të jashtëm francez Robert Schuman. Kujtojmë idetë dhe idealet e themeluesve të Bashkimit Evropian të cilët pas shkatërrimit që sollën dy luftëra botërore e kuptuan që paqja për të qenë e qëndrueshme, duhet të jetë e lidhur me drejtësinë, barazinë, bashkëpunimin dhe mundësinë për një jetë më të mirë; se integrimi e ndërvarësia sjellin më shumë fitime dhe mundësi sesa rivaliteti e kundërvëniet.
Bashkimi Evropian është projekt dhe proces për Evropën dhe gjithë qytetarët e saj që besojnë në vlerat e lirisë dhe demokracisë, drejtësisë dhe barazisë, të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile, lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Këto vlera sot po mbrohen në Ukrainë. Atje, përballë një agresori e pushtuesi despotik, po mbrohet ideja e një Evropë të lirë dhe të bashkuar. Pikërisht në këtë ditë duhet të zotohemi për të mbrojtur e përshpejtuar projektin e Bashkimit Evropian duke integruar Kpsovën, gjithë Ballkanin Perëndimor dhe gjitha shtetet evropiane paqedashëse të cilat përqafojnë vlerat tona të përbashkëta, duke përfshirë Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë.
Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Ne besojmë në demokraci që lufton autokratët, në sundim të ligjit që lufton korrupsionin dhe në ekonomi të zhvilluar që rrit mirëqenien për të gjithë.
Me qeverisjen tonë po dëshmojmë se për Kosovën Bashkimi Evropian fillon në shtëpi duke jetësuar ndryshimet të cilat transformojnë vendin tonë dhe përshpejtojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Urime të gjithë qytetarëve 9 Maji – Dita e Evropës!