Mancini në telashe, dy mungesa të rëndësishme para sfidës me Zvicrën

Dhimbje koke për Roberto Mancinin përpara ndeshjes shtëpiake ndaj Zvicrës, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit Katar 2022.

Kampionët në fuqi të Europës ndajnë vendin e parë në grupin C me 14 pikë, po aq sa kanë edhe Shaqiri e Xhaka me shokë.

Takimi do luhet më 12 nëntor në stadiumin “Olimpico” të Romës, teksa Italia udhëton tre ditë më pas drejt Irlandës së Veriut.

Trajneri Roberto Mancini nuk do të ketë të gatshëm dyshen Giorgio Chiellini dhe Leonardo Bonucci. Dy “senatorët” e mbrojtjes pësuan lëndime në sfidën e djeshme mes Juventusit dhe Fiorentinës.

Dy qendërmbrojtësit patën probleme muskulore, duke u detyruar të largohen më herët nga fusha e blertë.

Ata do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Mancinit, do të kryejnë testet mjekësore në Koverciano dhe më pas do të rikthehen në shtëpi.