Mickoski: Askush nuk ka të drejtë t’ua heqë pensionistëve pensionet e rritura





Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve se a e mbështet protestën e pensionistëve para Gjykatës Kushtetuese, tha:

“Këtë herë ata goditën tek pensionistët, dhe tani i dëgjoj si arsyetohen – atë që e kanë marrë pensionistët, nuk do ta kthejnë, por do të shohim se si do të vazhdojë situata më tej. Në fillim thoshin se nuk kishte gjë të tillë. Kur unë e bëra publike në pyetjet parlamentare, ata dolën dhe thanë se nuk ekziston një gjë e tillë. Dhe pastaj u tërhoqën dhe thanë: mirë, do ta shqyrtojmë të gjithë këtë për nga 1 janari.”

Kryeministri Mickoski theksoi se rritja e fundit lineare është parashikuar për pensionin e muajit mars të vitit të ardhshëm, duke pyetur se si është e mundur që kjo rritje të konsiderohet antikushtetuese, ndërsa 6 mijë denarët e mëparshëm të jenë kushtetues.

Mickoski theksoi se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë tre mundësi:

“E para është që rritjet lineare t’i shpallin antikushtetuese, që do të thotë se 75% e pensionistëve nga 1 janari do të kenë 3–4 mijë denarë pension më të ulët. Opsioni i dytë është të gjejnë një logjikë të zbehtë juridike, sipas meje, që rritjen e ardhshme ta shpallin antikushtetuese, ndërsa të gjitha rritjet paraprake të jenë kushtetuese. Për mua – edhe pse nuk jam jurist – dhe pasi kam konsultuar shumë juristë, kjo duket qesharake. Dhe opsioni i tretë është t’i shpallin kushtetuese.”

Ai shtoi se nuk do të komentojë më shumë dhe do t’ia lërë këtë çështje Gjykatës Kushtetuese, që – siç tha – të mos kuptohet sërish sikur ai po ushtron presion mbi gjyqtarët dhe prokurorët.