Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari në emisionit “Intervistë për Televizionin News u shpreh se koalicioni VLEN do t’i fitojë zgjedhjet, dhe këtë e vërtetojnë të gjitha anketat.

Sipas Taravarit, BDI-ja gjithmonë ka propaganduar me relativizim duke thënë se të gjithë partitë politike janë njëlloj, por kjo, siç thotë Taravari, nuk është e vërtetë sepse dallojnë.

“Ne duhet t’i sqarojmë opinionit se kemi dallime. Dallimi i parë është se shqiptarët kanë nevojë për ndryshim. Çdo popull, sikur çdo popull dhe vend tjetër. Edhe sikur të ishte çdo gjë mirë, 22 vite janë shumë”, tha Taravari.

Taravari theksoi se pas 8 majit, VLEN do ta jetë në Qeverinë e ardhshme, ndërsa Qeverisja do të jetë periudhë testimi që do të ndikojë edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2025.

“Shpesh kam folur për fitoren më 8 maj. Këtë fitore as që e konsideroj për shkak se konsideroj si punë e kryer sepse ka një valë ndryshimi që nuk ndalet. Ne duhet të koncentrohemi edhe në vitin 2025. Sepse ne kemi qeverisje 1 vjeçare në qeverinë që do ta formojmë më 8 maj, deri në tetor të vitit 2025 janë zgjedhjet lokale. Nëse nuk bëjmë qeverisje të mirë, nuk demonstrojmë qeverisje të mirë, nuk i tregojmë qytetarit se ne e kemi me gjithë mend, qeverisim shumë më ndryshe dhe shumë më mirë, atëherë në tetor të vitit 2025 qytetari mund të zhgënjehet dhe të na dënon me votë dhe aty do të jetë testi ynë i parë si qeveri e re”, u shpreh kreu i ASH-së, Arben Taravari.

Në lidhje mbi rezultatin e mundshëm në zgjedhjet parlamentare, Taravari theksoi se koalicioni VLEN qëndron mirë, por dominon në njësinë zgjedhore numër gjashtë.

“Në të gjitha zonat qëndrojmë mirë, shumë mirë, por gjashta është zona ku VLEN-i do të bënë rezultat marramendës dhe diferencën shumë të madhe. Por edhe në zonat tjera mendoj se qëndrojmë shumë mirë jemi në epërsi, vetëm zona numër pesë ku jemi tu punuar me një plan special për ta konsolidu dhe besoj se edhe atje do të jetë një befasi shumë pozitive për VLEN-in”, u shpreh Taravari.