-ads3-

Një inspektim i jashtëzakonshëm është iniciuar në Spitalin e Manastirit, një ditë pasi vogëlushja Jana ndërroi jetë përderisa merrte trajtimin mjekësor. Për ti sqaruar rrethanat e dyshimta në këtë çështje Ministria e Shëndetësisë urdhëroi përmes Inspektoratit sanitar shëndetësor të dërgoj ekip mbikëqyrëse nga Shkupi. Pas ekzaminimeve të hollësishme ky ekip do t’i raportojë autoriteteve se kush ishin arsyet që 6 vjeçarja gjeti vdekjen në vend të shërimit në Spitalin e Manastirit. Ministri Fatmir Mexhiti tha se do të shpalosin detaje sa më shpejtë të jetë e mundur rreth inspektimit, duke u ndërmarrë masat përkatëse.

“Shërbimet inspektuese janë atje dhe presim raportimin e tyre me ç’ rast do të informoheni. Me familjen jo, por do të kontaktojmë edhe me ta. Fillimisht të shohim çfarë është bërë gabim. Presim rezultatet e Inspektoratit sanitar shëndetësor dhe menjëherë do të njoftoheni çfarë masa do të ndërmarrim më tej”, deklaroi Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

Si jo rrallë herë në vend, ndodhin raste kur pacientë pa predispozita shëndetësore për të vdekur, humbin jetën në institucionet shëndetësore publike dhe private përderisa janë në trajtimet shëndetësore. Andaj, Kryeministri Kovaçevski tha se patjetër duhet të ketë përgjegjësi, në bazë të gjendjes faktike.

“Të gjitha detajet, pasi t’i kenë autoritetet përkatëse, do të ndahen me publikun. Ato duhet të bazohen në fakte, të përcaktohet situata objektive dhe në bazë të tyre të vendosen sanksionet e duhura aty ku është e nevojshme”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Drejtori i spitalit në Manastir, Aleksandar Obednikovski, ka kërkuar nga organet kompetente zbardhje sa më të shpejtë të rastit që të mos ketë dyshim se diçka po fshihet nga personeli i tyre. Dokumentacioni i plotë është duke u “krehur” dhe nga policia, dhe ndërkohë po merren deklarata nga stafi mjekësor i përfshirë dhe po bisedohet me të gjithë ata që kanë pasur kontakt me vajzën atë ditë. Rastin po e trajton edhe prokuroria, të cilët thonë se ende nuk japin detaje përse ndërroi jetë Jana 6 vjeçe. Për rastin është caktuar prokurori përkatës publik dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion për të hetuar shkaqet.

“Prokuroria Themelore Publike Manastir lëshoi urdhër dhe udhëzim për kryerjen e të gjitha kontrolleve të nevojshme. Ende nuk është përcaktuar shkaku i vdekjes së vajzës”, thonë nga Prokuroria Publike.

Sipas informacioneve të deritanishme në opinion, 6-vjeçarja Jana ka ndërruar jetë në spital pasi ishte shtruar me simptoma të ftohjes. Babai i saj tha dje për mediat se vogëlushes në Spitalin e Manastirit i është matur sheqeri në gjak me vlerën 9 g/mol, por mjekët i kanë bërë infuzion me glukozë në gjak, e cila e rriti më tej sheqerin në 19 g/mol, që sipas reagimeve të prindërve, më pas ajo vdiq. Familjarët e saj, kanë hedhur dyshimet në gabim mjekësor gjatë dhënies së terapisë, pasi që sipas tyre e ndjera, përveç ftohjes, nuk ka pasur pasqyrë të rënduar shëndetësore apo sëmundje kronike të diabetit. /Alsat/