Rrahja me çekan e punëtorit në Prishtina Mall – Flet Fatmir Zymberi, shefi i qendrës tregtare


Kryetari i Bordit të “Prishtina Mall”, Fatmir Zymberi ka thënë se punëtori që është rrahur nuk është punëtor i stafit të tyre por punonjës në një nga lokalët që janë pjesë e qendrës.

Sipas tij, sapo të merret vendim nga Policia e Kosovës për dy personat e dyshuar, “Prishtina Mall” do të marr masat sipas rregullores. Ai tha se “Prishtian Mall” nuk është vendim ku rrahën punëtorët.

“Nuk jam në dijeni lidhur me detajet e sakta se në cilën lokal e kush janë pronarët. Por me vjen mirë që është duke u marr me rastin Policia e Kosovës. Prishtina Mall ka rregulla shumë rigoroze për rendin shtëpiak. Punën e parë që e bëjmë na e paraqesim në polici dhe e marrin organet e hetuesisë. Momentin që ne marrim raport prej policisë për gjerat që kanë ndodh ne automatikisht do marrim masa ndaj secilës kompani që shkel rregullat. Prishtina Mall është ambient familjar por nuk është vend me u rrah një punëtor. Është për keqardhje”, ka deklaruar ai.

closevolume_off
Gazeta ka raportuar gjatë ditës se si një punëtor është rrahur me çekan nga shefi dhe vëllau i shefit të tij pasi ai ua kërkoi rrogën.

Dy të dyshuarit janë arrestuar nga policia e Kosovës dhe tashme edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet.

Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë tha se me urdhër të prokurorit janë ndaluar dy persona që dyshohet se janë kryere veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar janë ndaluar dy (2) persona, pasi dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, sipas KPRK-së. Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për ta sqaruar në plotëni këtë çështje”, ka thënë ajo.

Çfarë thotë Policia e Kosovës për rastin?

Ndryshe, Policia e Kosovës ka raportuar për një rrahje që ka ndodhur mesditën e djeshme në magjistralen Ferizaj – Prishtinë.

“Magjistrale Ferizaj-Prishtinë 06.03.2023 – 11:35. Raportohet se janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar pasi që të njëjtit kishin sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime trupore. Palët kanë pranuar tretman mjekësor në QKUK. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Rrahja ka ndodhur në një lokal te “Prishtina Mall”, ku raportohet se dy shefa kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një punëtori duke e goditur me grushte e çekan. Arsyeja e përleshjes sipas burimeve thuhet të jetë se punëtori ua ka kërkuar rrogën e tij.

Kjo është gjendja e të lënduarit

Pas rrahjes punëtori ka marr trajtim mjekësor në QKUK.

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla tha se viktima ka marr trajtim në QKUK gjatë ditës së djeshme dhe pas trajtimit është lëshuar nga spitali

“I janë bërë ekzaminimet mjekësore dhe pas trajtimit është liruar nga QKUK. Nuk e ka pas gjendjen shumë të rëndë”, tha Syla.