Një grua nga Pensilvania, e cila iku nga burri i saj më shumë se 30 vjet më parë dhe madje u shpall ligjërisht e vdekur, është gjetur e gjallë në Porto Riko.

Patricia Kopta, tani 82-vjeçare, po banonte në një shtëpi kujdesi për të rriturit, me një diagnozë të çmendurisë, rreth 2,700 kilometra larg vendit ku u zhduk.

“Nuk mund ta besoni se në çfarë rrethana kemi kaluar. Është një lehtësim i madh të dish që ajo është gjallë”, tha burri me të cilin ajo ishte e martuar për 20 vjet, Bob Kopta.

Patricia Kopta dikur jetonte në Pittsburgh, Pensilvani, shkonte në punë të ndryshme dhe ishte një katolike romake e devotshme që ndoqi rregullisht meshën e së dielës, raportoi gazeta e qytetit Post-Gazette.

Ajo filloi gradualisht të shfaqte sjellje të pazakonta dhe devotshmëria e saj ia la vendin sharjeve të paarsyeshme, të tilla si pretendimet se nëna e Zotit iu ishte shfaqur para syve dhe se e kishte paralajmëruar atë për armagedonin bërthamor të afërt.

Pasi humbi punën, ajo filloi të frekuentonte rrugët në qendër të qytetit, duke i këshilluar spektatorët e lojërave të bejsbollit dhe pjesëmarrësit e koncerteve që të shkonin në shtëpi sepse bota ishte gati të mbaronte, tregoi burri Bob Kopta.

Njerëzit që e takonin e quanin “Harabeli”, një emërtim i frymëzuar nga fiziku i saj i lehtë dhe ecja e çrregullt. Një herë, një grup e grabitën dhe i vodhën unazat e martesës dhe të fejesës. Ajo u arrestua njëherë tjetër, me mjekët që përshkruanin se si ajo kishte “iluzionet e madhështisë”.

Më pas, një ditë në 1992, kur Bob Kopta shkoi në shtëpi, zbuloi se gruaja e tij ishte larguar dhe paraqiti një raport për personin e zhdukur në policinë lokale.

Nuk kishte asnjë shenjë prej saj për vite me radhë, megjithëse një herë ajo i dërgoi të shoqit një letër ku tregonte se si dikush po e ndiqte, gjë që i bënte jehonë pretendimeve që ajo kishte bërë disa herë më parë.

Në dëshpërimin e tyre për ta gjetur, hetuesit në një moment folën me një psikiatër, i cili sugjeroi se Patricia Kopta kishte vdekur dhe se trupi i saj ishte afër ujit.

Bob Kopta përfundimisht mori një deklaratë ligjore duke thënë se gruaja e tij konsiderohej e vdekur, shkruan Guardian, transmeton Klankosova.tv.

Por autoritetet tani mësuan se Patricia Kopta ishte pranuar në një shtëpi kujdesi për të rriturit në Puerto Riko, pasi kishte nevojë për ndihmë në qershor 1999. Patricia Kopta fshehu shumicën e detajeve të jetës së saj, duke i bërë kujdestarët e saj të besonin se ajo kishte shkuar në ishull me një anije lundrimi nga Evropa.

Ajo i tregoi stafit të shtëpisë më shumë për jetën e saj me kalimin e kohës. Dhe kjo krijoi terrenin që një punonjës social portorikan si dhe një agjent me INTERPOL-in, të kontaktojnë zëvendësshefin e policisë së Ross Township, Brian Kohlhepp, vitin e kaluar.

Pasi Kohlhepp njoftoi familjen e Patricia Koptas, departamenti i tij u dërgoi dokumente autoriteteve porto-rikane që ata të merrnin ADN-në e saj. Më pas, ata e krahasuan atë mostër me ADN-në e siguruar nga një motër dhe nip i Patricia Koptas.

Në fund të një procesi nëntë-mujor që përfshinte gjithashtu të dhënat e saj dentare, hetuesit konfirmuan se Patricia Kopta ishte gruaja që ishte regjistruar në shtëpinë e kujdesit për të rriturit në vitin 1999, pasi tha se kishte mbërritur në Porto Riko me një anije lundrimi nga Evropa.

“Patricia Kopta është gjallë dhe mirë për moshën dhe gjendjen e saj”, tha Kohlhepp në konferencën për shtyp.

Bob Kopta nuk u martua kurrë. Ai dhe motra e Koptas, Gloria Smith, thanë se do të donin ta kthenin atë në Pensilvani dhe të ribashkonin familjen e tyre.

Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse Kopta do të kthehet ndonjëherë në Pensilvani. Ajo po lufton me shëndetin e saj mendor dhe fizik, dhe ajo i tha stafit të shtëpisë së kujdesit se do të preferonte të qëndronte në Porto Riko.