Babai në Serbi shiti vajzën për 3 mijë euro: Është e imja, bëj çfarë të dua me të


Policia në Serbi ka arrestuar një 44-vjeçar në Brus afër Krushevcit me dyshimin se ka shitur vajzën e tij 13-vjeçe një të njohuri 47-vjeç nga zona e Bojnikut.

Vajza është gjetur në Bojnik, ku është marrë nga Qendra për Punë Sociale.

Përveç babait të vajzës, është arrestuar edhe blerësi i saj, ndaj të dy do të mbajnë përgjegjësi për krimin e trafikimit të qenieve njerëzore. Të dy ishin të njohur më parë për policinë – babai i vajzës kryesisht për dhunë, ndërsa ndaj blerësit të vajzës është bërë kallëzim penal për falsifikim të rezultateve të votimit.

Dyshohet se bëhet fjalë për një martesë të rregulluar.

“Babai i vajzës është problematik, alkoolik dhe i prirë për zënka. Pak kohë më parë ai detyroi të bijën të martohej me një të njohurin e tij shumë më të vjetër. E ka njoftuar se vajza e tij kushton 3000 euro dhe ky i fundit ia ka dorëzuar paratë dhe e ka çuar fëmijën fatkeq në shtëpinë e tij në fshatin afër Bojnikut”, ka thënë bashkëbiseduesi i “Republika”, raporton mediumi serb “Blic”, transmeton Klankosova.tv.

Policia në Brus shumë shpejt ka marrë vesh se babai kishte shitur vajzën e tij, kështu që shpejt u zbulua se kush ishte blerësi.

Klienti ishte arrogant gjatë arrestimit.

“Ishte arrogant, sillej sikur të mos kishte bërë asgjë të keqe. Ai pohoi se e ka paguar nusen në mënyrë të drejtë dhe se është krejt normale që vajzat të martohen të reja. Në mënyrë të ngjashme u soll edhe babai kur u intervistua nga policia. Ai tha se mund të bënte çfarë të donte me vajzën e tij”, tha burimi.

Ndaj tyre, me urdhër të prokurorit, policia ka bërë kallëzim penal për trafikim të qenieve njerëzore, për të cilën rrezikojnë nga pesë deri në 12 vite burg.