I ftuar në studion e “Tirana Live” në ABC News ka qenë anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Roland Bejko. Bejko komentoi situatën politike në vend e cila ka rezervuar mjaft ngjarje ditët e fundit.

Në lidhje me thirrjen e Shkëlzen Berishës në SPAK dhe bllokimit të foltores nga Sali Berisha në Kuvend në të njëjtën kohë, ai u shpreh se priste që ish-kryeministri të akuzonte Ramën se ka nxitur Prokurorinë e Posaçme për të hequr vëmendjen nga skandali me FBI-në.

Sa i përket “Gërdecit”, Bejko u shpreh se ajo është një e ngelur në sirtarët e drejtësisë, ndërsa shpreson që drejtësia e re të bëjë mirë.

Ai po ashtu shton se SPAK ka dosje që implikojnë të gjithë politikën shqiptare nga të gjitha krahët dhe më pas shton se kthimi i Berishës në krye të PD-së i shërben personalisht atij.

“Dje ka qenë një ditë e ngarkuar, në momentin kur pashë Shkëlzen Berishën në SPAK, Berisha i madh kishte kapur foltoren dhe më pas u largua nga pudiumi dhe i la vendin të tjerëve nga grupi i tij.

Prita që Berisha të thoshte që thirrja e djalit të vet në SPAK, ishte një akuzë politike e SPAK e nxitur nga Rama, për të hequr vëmendjen nga FBI.

Më vonë mora vesh, që thirrja e Shkelzen Berishës ka qenë më parë. Gërdeci ka ngelur në sirtarët e drejtësisë. Me drejtësinë e re besoj që cdo gjë do të shkojë në vend dhe secili të marrë dënimin e mëritur për këtë tragjedi.

Është dhe një dosje që implikon të gjithë politikën, nga Rama e Berisha, ku janë “inceneratorët”, “partizani” e të tjera. Ndaj them që kthimi i Berishës në krye të PD i shërben personalisht atij. Për ta pasur si një strehimore për t’i bërë ballë sulmeve nga drejtësia.

Klasa politike shqiptare është bërë pengesë për rritjen e Shqipërisë. E gjithë kjo që po ndodh sot është se SHBA është lodhur me këtë klasë politike. Rama ndaj nuk ishte në Kuvend se do të përplasej me PD për skandalin. Rama akuzohet se ka paguar një agjent të FBI që të bëjë hetime për lobimet ruse në PD.

Na del që ky është një skenar i Ramës, pra atë të parave ruse në PD dhe qëllimet i arriti. Prishja e marrëveshjes së 5 qershorit 2020, s’ka qenë as më shumë e as më pak efekti që ka dhënë shpifja e Ramës,” u shpreh fillimisht Bejko.