Babai i Novak Djokovic bëhet titull nëpër media, pozon me tifozin që valëviste flamurin pro-rus


Një ngjarje që ka prekur jo pak zemrat e popullit ukrainas, ku babai i tenistit me famë botërore Novak Djokovic, është filmuar duke pozuar me fansat e djalit të tij të cilët mbanin flamujt pro rusë në turneun e “Australian Open”.

Këtë skenë, ambasadori i Ukrainës e quajti “një turp”. Komenti i diplomatit ukrainas erdhi një ditë pasi lojtari serb i tenisit sapo kishte prerë biletën e tij në gjysmëfinalen e turneut. Pas përfundimit të sfidës, një grup tifozësh pranë stadiumit kanë shpalosur flamuj të Rusisë të cilat mbanin edhe fytyrën e Vladimir Putin.

Një zëdhënëse e policisë tha se katër personat u përjashtuan nga turneu për shpalosjen e flamujve dhe simboleve të papërshtatshme dhe kërcënimin e rojeve të sigurisë. Më 17 janar, flamujt nga Rusia dhe Bjellorusia u ndaluan nga “Melbourne Park” pasi u sollën në tribunat e stadiumit nga tifozët.

Ambasadori i Ukrainës në Australi dhe Zelandën e Re, Vasyl Myroshnychenko, tha se valëvitja e flamurit ishte e turpshme./