Kovaçevski paralajmëron mbulimin e borxheve për institucionet që kanë borxhe me arsyetime objektive


Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha sot se shteti do të duhet të mbulojë borxhet për rrymën e atyre institucioneve kyçe që kanë pasur arsye objektive për një gjë të tillë, por jo edhe atyre institucioneve ku nuk ka arsye të tilla. Ato institucione ku nuk ka arsye objektive për mospagesën e faturave, njoftuan se do të thirren në përgjegjësi.

“Nuk e kuptoj se si nuk mund të paguhet rryma me vite, që është sjellje joprofesionale e disa prej drejtuesve të atyre institucioneve. Në disa raste ka edhe faktorë objektivë, për shembull, institucionet shëndetësore janë ngarkuar me shumë kosto gjatë krizës së koronës. Nuk i toleroj drejtorët që nuk kanë paguar rrymën sepse kanë menduar se institucionet e tyre nuk mund të mbesin pa rrymë vetëm sepse janë me rëndësi jetike”, tha Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas konferencës së sotme për shtyp në Qeveri.

Lidhur me këtë problem, ai bëri të ditur se sot do të ketë një mbledhje në Ministrinë e Ekonomisë.

Lidhur me vënien në funksion të të gjitha kapaciteteve energjetike në vend, Kovaçevski informoi se po fillojnë aktivitetet e montimit të bllokut 3 në REK Manastir për shkak se ka ardhur një pjesë e pajisjeve dhe se drejtori komercial i EMV-së sot ndodhet në Turqi për të riorganizuar transportin e transformatorit. Shumë shpejt në rrjet pritet të kyçet edhe TEC Negotinë.

I pyetur për raportimet për bomba, për të cilat sot ka raste edhe në Kavadar, kryeministri theksoi se këto janë kërcënime hibride që janë bërë më të shpeshta pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Ai theksoi se raportime të tilla të rreme për bomba nuk ndodhin vetëm këtu, por edhe në vendet e tjera anëtare të NATO-s dhe se qëllimi është krijimi i panikut.

“Nuk është aq e thjeshtë të identifikosh autorët. Ka indikacione se nëse ka rezultate përfundimtare dhe nëse autorët janë në vend, sigurisht që do të dalin para drejtësisë”, tha Kovaçevski.