Familjari: Gruaja që u vra sot, priste që të lindë nesër


Një familjar i gruas shtatzënë, të vrarë sot në QKUK, Hamide Magashi ka thënë se pritej që ajo ta sillte në jetë fëmijën që mbante në bark gjatë ditës së nesërme.

Duke folur për KP-në, ai ka thënë se Magashi i kishte treguar sot bashkëshortes së tij, që mjekët në QKUK i kishin thënë se procesi i lindjes, do të realizohej nesër.

“Shoqja sot foli me të dhe i ka thënë se për nesër i kanë thënë mjekët me lindë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se gruaja rreth 35-vjeç, e vrarë sot, kishte qëndruar e martuar rreth 3-4 muaj.
“Ka qenë e martume në Godanc, nja 3-4 muaj e martuar. Ka pasë mosmarrëveshje me burrë e me familje, diçka s’janë ra razi edhe mes policisë, mes socialit, u nda. Ka nejtë n’shpi të vetën deri tash kur i ka ardhë koha për lindje. Tash ka ardhë koha me lindë. Ka qenë e martuar, 3-4 muaj ka nejtë të burri. Policia krejt e ka ditë rastin, se nëpërmjet policisë u nda kjo çikë”, ka thënë ai.

Sipas tij, ditëve të fundit, ajo nuk kishte kishte treguar nëse ka pasur kërcënime nga bashkëshorti i saj me të cilin ishin në proces divorci.