​Twitter shkarkon nga puna pa paralajmërim mbi 4 mijë punëtorë me kontrata


Një numër i madh i punëtorëve me kontratë në Twitter kanë njoftuar se janë pushuar papritmas nga puna, pasi humbën qasjen në Slack dhe sistemet e tjera të punës.

Sipas Platformer, i cili raportoi fillimisht mbi këto largime, rreth 4,400 nga 5,500 punëtorët me kontratë u pushuan nga puna. Disa prej këtyre ishin të vendosur jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në Indi.

Punëtorët e larguar thanë se nuk morën asnjë njoftim paraprak përpara se të pushoheshin nga puna.

Twitter ka pushuar të gjithë ekipin e tij të komunikimit të brendshëm. Shkarkimi i kontraktorëve do të shënonte shkurtimet më të fundit në platformën e medieve sociale, e cila tashmë ka pushuar nga puna afërsisht gjysmën e punëtorëve të saj që kur Elon Musk mori drejtimin e kompanisë më 28 tetor.

Update: company sources tell me that yesterday Twitter eliminated ~4,400 of its ~5,500 contract employees, with cuts expected to have significant impact to content moderation and the core infrastructure services that keep the site up and running.

Bashkëthemeluesi i Twitterit, Jack Dorsey kërkoi falje javën e kaluar për rritjen “shumë të shpejtë” të kompanisë, një ditë pasi ky biznes bëri largime masive nga puna.

Që nga 30 qershori 2013, pak para se Twitter të bëhet kompani publike, kishte afërsisht 2,000 punëtorë. Deri në fund të vitit të kaluar, kompania raportoi se ishte rritur në rreth 7,500 punëtorë me orar të plotë.

“Sa i përket zvogëlimit të Twitterit, fatkeqësisht nuk ka zgjidhje kur kompania humbet mbi 4 milionë dollarë në ditë. Të gjithëve që u larguan iu ofruan tre muaj pagesa, që është 50 për qind më shumë se detyrimi ligjor”, pati shkruar Musk.

Që nga marrja e detyrës, ai ka informuar punonjësit e mbetur të Twitter se ai ka shitur miliarda dollarë aksione në Tesla, biznesi i tij i automjeteve elektrike, për të “shpëtuar” Twitter. Është e paqartë nëse Musk do të vazhdojë të shesë aksionet e Teslas për të shlyer borxhin e kompanisë.