Shaqiri rikthehet në stërvitje te Zvicra, pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Serbisë


Ende nuk ka një vendim përfundimtar, por ka sinjale pozitive se Xherdan Shaqiri mund të luajë në ndeshjen vendimtare në Kupën e Botës “Katar 2022”, kundër Serbisë

Kjo ndeshje do të zhvillohet më 2 dhjetor, teksa pritet të përcaktojë përfundimisht se cila përfaqësuese do të kalojë në 1/8 e finales.
Shaqiri nuk u paraqit në ndeshjen kundër Brazilit, shkaku i shqetësime për një lëndim.

Dhe, “Blick” ka raportuar këtë të martë se ka një lajm të mirë te “Helvetikët”, pasi futbollisti nga Kosova është rikthyer në stërvitje, së bashku me Noah Okafor, i cili gjithashtu mungoi kundër Brazilit.
Megjithatë, sipas mediumit zviceran, të dy futbollistët u stërviten individualisht, pas ngrohjes.

Okafor ka probleme muskulore në bazën e ijëve, kurse Shaqiri mbi gju. “Shaqa” nuk u paraqit kundër Brazilit si masë paraprake për t’i ikur një lëndimi më të rëndë. Por, kur dihet rëndësia e ndeshjes së ardhshme, mund të besohet se Shaqiri mund të jetë në fushë të premten në mbrëmje.

Situata me Okafor thuhet se është më e ndërlikuar.

Drejtori te Zvicra, Perluigi Tami, foli për rëndësinë e të dy futbollistëve, veçanërisht të Shaqirit.

“Ne të gjithë e dimë aftësinë sulmuese të Shaqirit”, tha ai, duke shtuar se “është ende herët për të bërë një parashikim”.

“Më shumë do të dimë të mërkurën sepse dy ditët e stërvitjes para ndeshjes janë vendimtare. Nëse nuk mund të stërviteni siç duhet, do të jetë e vështirë”, deklaroi Tami.

Kujtojmë se Zvicra është e dyta në Grupin G me 3 pikë, teksa Serbia është e treta me 1 pikë.

Brazili prin në këtë grup me 6 pikë, kurse Kameruni është i fundit me 1 pikë.

Edhe sfida Brazil – Kamerun do të zhvillohet të premten.