“Punoni me orare të gjata ose largohuni”, Elon Musk u jep ultimatum punonjësve të Twitter


Pronari i ri i Twitterit, Elon Musk u ka dhënë urdhër punonjësve të kompanisë që deri të enjten në mbrëmje të angazhohen fort në punë ose të largohen. Ky njoftim është dhënë përmes një emaili të brendshëm.

“Për të ecur përpara, për të ndërtuar Twitter 2.0 dhe për të patur sukses në një botë gjithnjë e më shumë konkurruese, duhet të jemi jashtëzakonisht të fortë. Kjo do të thotë të punoni me orare të gjata dhe intensivisht. Performanca e jashtëzakonshme do të jetë notë kaluese. Nëse jeni të sigurt se dëshironi të jeni pjesë e Twitterit të ri, ju lutem klikoni më poshtë për të plotësuar formularin”, thuhet ndër të tjera në emailin e Musk për stafin e Twitter, raporton Washington Post.

“Kushdo që nuk do ta ketë dorëzuar deri të enjten në mbrëmje, atëherë do të largohet nga puna pas 3 muajsh”, ka bërë të ditur ai.
Kujtojmë se disa ditë më parë, Musk largoi nga kompania drejtuesit kryesorë të Twitter, eliminoi bordin e drejtorëve dhe pushoi nga puna pothuajse gjysmën e stafit, duke përfshirë edhe ata në poste të rëndësishme.

Por tashmë ai thotë se nuk do të vazhdojë edhe për shumë gjatë të shpenzojë kohën e tij duke qëndruar në Tëitter, teksa shton se do të gjej dikë tjetër për ta drejtuar atë.

“Pres të reduktoj kohën time në Twitter e të gjej dikë tjetër për të drejtuar kompaninë me kalimin e kohës”, thotë ai.

Miliarderi po bën ndryshime strukturore në Twitter dhe ka parashtruar qëllime ambicioze për të ndryshuar këtë rrjet social.