Festimi i 29 Nëntorit është fyerje ndaj Kosovës


Adri Nurellari

Në këtë ditë të vitit 1943, Këshilli Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Jugosllavisë (AVNOJ) në Jajcë të Bosnjës u vetë-shpall si qeveria legjitime me Titon në krye të saj. Po ashtu u vendos se do të krijohej Jugosllavia Federale Demokratike me 6 republika (Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia) duke i lënë shqiptarët të shpërndarë e të papërfaqësuar me republikën e tyre edhe pse ishin grupi etnik i tretë më i madh. Në konferencën e dy vjetëve më pas të AVNOJ-it, më 29 nëntor 1945, Jugosllavia pushoi së qenuri monarki duke u riemëruar në Republikë Popullore Federative të Jugosllavisë.

Shqiptarët si reagim të konferencës së Jajcës, organizuan Konferencën e Bujanit nga 31 dhjetori 1943 deri me 2 janar 1944, pikërisht për t’i kundërshtuar këto vendime diskriminuese ndaj shqiptarëve. Rezoluta e dalë prej Bujanit përbënte një përpjekje për ta afirmuar të drejtën e kombeve për vetëvendosje pas luftës kundër forcave fashizmit duke kërkuar bashkimin me Shqipërinë. Jugosllavia e AVNOJ-it, duke shkelur të drejtën universale të vetëvendosjes së popujve, Kartën e Atlantikut dhe premtimet e vetë Partisë së saj Komuniste, mohoi vullnetin e shqiptarë të shprehur në Rezolutën e Bujanit dhe i ri-pushtoi sërish dhunshëm territoret shqiptare duke kryer terror shtetëror nëpërmjet administrimit ushtarak të përgjakshëm të Kosovës.

Nga ana tjetër, një ditë pas largimit të nazistëve prej Tiranës, në mbledhjen e Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (KANҪ) më 18 nëntor 1944 në Berat, u morr vendimi që “Dita e 28 Nëntorit, ditë e indipendencës, duhet të festohet me sloganin e çlirimit të Shqipërisë. Dhe ashtu parakalimi festiv fitimtar në Tiranë u mbajt në 28 nëntor 1944. Për 29 nëntorin si ditë e çlirimit u vendos një vit më pas për ta përshtatur me Jugosllavinë, në kuadër të projektit për ta futur edhe Shqipërinë brenda shtetit jugosllav, plan ky që u shkatërrua prej Stalinit pasi ky i fundit u prish me Titon.

Është e turpshme mënyra se si ende sot këmbëngulet për të mbajtur e kremtuar një festë komuniste jugosllave tashmë që e vërteta është zbardhur e faktet janë kokëforte. Është gjithashtu hipokrizi apo disonancë konjitive që një ditë pas festës kombëtare të flamurit, të kremtuar me mbledhjen e përbashkët parlamentare me Kosovën, të festohet një datë jugosllave që shënon dy momente historike që kanë përcaktuar robërimin e Kosovës.

Faktikisht më e arsyeshme do të ishte që Republika e Shqipërisë t’iu bashkohej vendeve të tjera evropiane e ta përcaktonte e festonte 9 majin si fundin e Luftës së Dytë Botërore. Për hir të së vërtetës, Kryesia e KANÇ-it me vendimin nr.58, të datës 9.5.1945 përcaktoi “Shpalljen e 9 Majit festë kombëtare të fitores mbi fashizmin”. Nuk mund të mbahet ende një njollë historike jugosllave si 29 Nëntori për inat të Partisë Demokratike si i vetmi element identitar domethënës mes PS-së dhe PD-së.