Djathi më i mirë në botë për vitin 2022, ja kush e fitoi


Djathi gruyère nga Zvicra, mori çmimin kryesor në konkursin “World Cheese Awards 2022”, duke u përzgjedhur si më i miri nga 4434 djathëra të prodhuara në 42 vende të botës.

Sipas jurisë me rreth 250 gjyqtarë, djathi zviceran i prodhuar nga kompania e bulmetrave, “Vorderfultigen”, u dallua si një “djathë i rafinuar, me shumë shije, ku ndihen nota dhe aroma barishtesh e frutash”. Djathi gruyère është paksa i thërrmueshëm dhe bëhet nga qumështi i papërpunuar i lopës. Në vendin e dytë u rendit Gorgonzola Dolce DOP, një djathë i butë, prodhuar në Itali.

Edicioni i këtij viti u mbajt në Newport, Uells. Fillimisht ishte menduar të zhvillohej në Kiev, por planet ndryshuan për shkak të situatës së luftës në Ukrainë. Megjithatë, pati rreth 39 lloje të ndryshme djathërash nga ky vend që morën pjesë në konkursin e përvitshëm.