Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur janë dy iniciativa që nuk pengojnë njëra-tjetrën, por gjithashtu veprojnë si “konkurrencë e shëndoshë”.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, teksa bëri thirrje për bashkëpunim rajonal.

“Unë personalisht mbështes të gjitha format e bashkëpunimit rajonal, çdo gjë që kontribuon në një bashkëpunim më të madh, që jemi bashkë dhe jo në armiqësi, qoftë procesi i Berlinit apo Ballkani i Hapur. Kur bëhet fjalë për Procesin e Berlinit, situata është paksa e përmbysur, Ballkani i Hapur i dha vrull Procesit të Berlinit – bëhet fjalë për konkurrencë të shëndetshme”, theksoi Abazoviq për portalin Sarajevës Klix.

Kreu i qeverisë së Malit të Zi theksoi se po kërkohet “stabilitet politik” në Mal të Zi.

“Mali i Zi duhet të dalë nga kriza kushtetuese. Mali i Zi në vitet e fundit ka shënuar rezultate që nuk i ka shënuar në histori. PBB ka kaluar pesë miliardë për herë të parë në histori, pagat në administratën publike janë rritur, kemi 850 miliona investime të huaja direkte presim që deri në fund të vitit ky numër të jetë mbi një miliard, duhet të arrijmë marrëveshje, nuk ka më monopole, apeli im është që subjektet politike të arrijnë marrëveshje sa më shpejt”, tha Abazoviq.