VMRO-DPMNE do t’i dorëzojë Qeverisë kontaktet e saj për furnizimin e energjensave më të lira, për të cilat është i obliguar posaçërisht ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili më pas do të kontaktojë subjektet e përmendura për të përcaktuar nëse ofertat e tyre i përmbushin kriteret e nevojshme.

Kjo është dakorduar në takimin e sotëm të kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe liderit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski ku morën pjesë edhe ekipe ekonomike të Qeverisë dhe të partisë.

Kryeministri Kovaçevski pas takimit deklaroi se i kanë arsyetuar të gjitha aktivitetet që i ndërmerr Qeveria për tejkalimin e krizës energjetike. Kanë informuar për prodhimtarinë e kapaciteteve energjetike, për sigurimin e energjensave – thëngjillit dhe mazutit.

Ata theksuan nevojën e miratimit sa më të shpejtë në Kuvend të të gjitha ligjeve që kanë të bëjnë me tejkalimin e krizës energjetike. Bëhet fjalë për Ligjin për huamarrjen nga BERZH në vlerë prej 100 milionë euro me normë të favorshme interesi për të mbështetur punën e EMV-së, Ligjin për Energjinë, Ligjin për Naftën dhe Rezervat e Naftës, si dhe për zbatimin e Vendimit për shkurtimin e mjeteve financiare nga buxheti të cilat janë me përqindje më të ulët të përmbushjes dhe të cilat nuk janë të nevojshme dhe kalojnë në pikat për ballafaqim me krizën energjetike”, potencoi Kovaçevski.

“Diskutuam edhe për kalimin e shkollave fillore dhe të mesme në tregun e rregulluar, si dhe kalimin e institucioneve shëndetësore për furnizim në EMV shitje. Është rikonfirmuar kërkesa e opozitës për përfshirjen e ndërmarrjeve publike në tregun e rregulluar, të cilën do ta shqyrtojë Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me BNJVL-në”, deklaroi Kovaçevski.

Kryeministri informon se Qeveria sot ka marrë vendim me të cilin EMV është përgjegjëse për kryerjen e shërbimit publik të rregulluar të prodhimit të energjisë ngrohëse në Shkup. Është nënshkruar një marrëveshje ndërmjet EVN-së dhe Adora-s për dhënien me qira të ngrohtoreve.

Ai ka theksuar se që nga themelimi i Qeverisë janë ndërmarrë një sërë masash për likuiditetin e kompanive dhe standardin e qytetarëve, janë ndarë mbi 300 milionë euro mjete buxhetore.

Vazhdon subvencionimi i energjisë elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, si dhe bisedimet me vendet fqinje për blerjen e energjisë elektrike, si dhe pritet ndihmë dhe përkrahje edhe nga BE-ja, për të cilën presidenti Stevo Pendarovski diskutoi fundjavën e kaluar me kryetaren e KE-së Ursula fon der Lajen në Bullgari”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski pas takimit me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.