Bashkim Aliu

Pyetja: A lejohet kurimi me Marihuanë?

Përgjigjja: Marihuana është përzierje gjethesh, farash, kërcejsh, me ngjyrë të të gjelbër, kafe ose gri, mjaft e rrezikshme për shëndetin e njeriut. I referohet disa përgatitjeve të bimës konop (Kanabis), dhe bashkë me Hashhashin janë prej drogave më të rrezikshme. Disa produkte të Marihuanës mund të përdoret në prodhimin e disa medikamenteve për lehtësimin e dhimbjeve të disa sëmundjeve.

            Nisur nga kjo,  në aspektin fetar, nuk lejohet që të konsumohet Marihuana, ngase është prej drogave të rrezikshme, e cila ka pasoja negative shëndetësore dhe psikologjike për individin dhe shoqërinë. Dispozita legjislative e kësaj droge, është si dispozita legjislative e alkoolit, pasi të dyjat e dehin njeriun. Alkooli është i ndaluar në librin e Allahut dhe në hadithet e të Dërguarit të Allahut, me tekste të prera në saktësi dhe në argumentueshmëri. Shto kësaj edhe faktin se Marihuana shkakton sëmundje të rrezikshme, e që mund ta bënë konsumuesin e saj të varur, sa që është rëndë më pas që t’i ndahet.

            Për sa i përket mjekimit me Marihuanë, në parim ndalohet, ngase Allahu i Madhërishëm nuk e ka bërë shërimin në atë që e ka ndaluar për popullin e Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Imam Buhariu ka transmetuar se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Allahu nuk e ka bërë shërim për umetin tim, atë që ia ka ndaluar”. Ebu Devudi ka transmetuar prej Ebu Derdasë se ka thënë: I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Allahu e ka zbritur sëmundjen dhe barin, dhe për çdo sëmundje ka bar. Për atë, mjekohuni, por mos mjekohuni me atë që është e ndaluar”.

Në rast se Marihuana futet në prodhimin e ndonjë medikamenti, dhe këtë medikament e rekomandon mjeku për kurim, dhe nuk ka medikament tjetër alternativ, në këtë rast nuk është e ndaluar të konsumohet ky medikament, pasi është domosdoshmëri.

(Prej arabishtes: Bashkim Aliu).