Izraeli po përgatitet për një “javë operacionesh” kundër grupeve të armatosura palestineze në Rripin e Gazës.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Ran Kochav, u citua nga mediat izraelite të ketë thënë se nuk ka negociata për një armëpushim dhe se ofensiva në Gaza mund të zgjasë të paktën një javë.

Ushtria izraelite nisi sulme vdekjeprurëse kundër, siç tha, objektivave të Xhihadit Islamik në Gaza të premten, ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten midis Izraelit dhe grupeve militante palestineze.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se të paktën 10 persona u vranë, duke përfshirë një vajzë 5-vjeçare dhe një grua 23-vjeçare. 75 të tjerë u plagosën ndërsa Izraeli këmbëngul se shumica e të vrarëve ishin militantë.