Ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen pa përfshirjen e opozitës, pasi pushteti nuk disponon me numrat e deputetëve që do të mund të votonin këto ndryshime. Nuk dihet se çfarë skenarësh mund të përdorë Qeveria për të përmbushur një kusht të tillë, i domosdoshëm për vijimin e mëtejshëm të negociatave me Bashkimin Evropian. Ajo që pritet në këtë situatë është, ose këto ndryshime të kalojnë, përkatësisht opozitarja maqedonase VMRO t’i votojë ose të shkaktohet krizë e re politike në vend duke bllokuar kështu perspektivën europiane të Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

Malinka Ristevska Jordanova nga Instituti për politika evropiane – EPI, nënvizon se ndryshime të tilla kushtetuese për të futur një pakicë kombëtare në Kushtetutë nuk janë bërë asnjëherë në anëtarësimin në BE dhe ky është një precedent. Sipas saj, Qeveria, duke pranuar kushtet bullgare për fillimin e negociatave, pranoi edhe kushtin për ndryshimin e Kushtetutës. Me këtë, para BE-së dhe në përgjithësi para bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria mori një obligim, pa siguruar paraprakisht pëlqimin politik, gjegjësisht shumicën e nevojshme.

Malinka Ristevska Jordanovska, foto: Emir Hamzai
Malinka Ristevska Jordanovska, foto: Emir Hamzai
“Ajo që mund të pritet në periudhën e ardhshme është presioni i shtuar dhe një fushatë nga Qeveria, por edhe nga BE-ja dhe partnerët e tjerë të huaj për të miratuar ndryshimin e Kushtetutës. Ekziston frika e tentativave për të “ndërruar mendjen” e deputetëve, gjë që përbën rrezik për korrupsion të lartë. Më tej, një lloj presioni është që të gjithë (jo vetëm kundërshtarët politikë) që janë kundër kushteve bullgare për aderim, në mënyrë të pasaktë të kualifikohen si kundërshtarë të BE-së. Një fushatë e tillë krijon jo vetëm ndarje politike, por thellon ndarjet ekzistuese shoqërore në të gjitha linjat. Hapësira për kompromis mes partive politike në kushte të tilla është minimale. Në të dy skenarët – ndryshimet kushtetuese të mos kalojnë, ose të kalojnë, një krizë politike afatgjatë është e sigurt”, konsideron Ristevska.

Edhe analisti Albert Musliu thotë se alternativë për ndryshimet kushtetuese nuk ka. Duhen 80 vota. Ky është parakusht i BE-së për t’u hapur kapitujt, përkatësisht përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë. Kjo përderisa u bë parakusht, konsideron Musliu, nuk ishte aq kontestuese edhe për opozitën maqedonase. Sipas tij, këto kundërshtime i konsideron si kapital politik, që e përdorin për t’i përmbushur planet e veta politike, për përfitime politke.

Albert Musliu

“Kjo është e gjithë narrativa këtu. Levicën as që e llogaris këtu. Sa i përket Levicës ne do kishim dalë edhe prej NATO-s dhe do ishim bërë pjesë e federatës ruse. Por për VMRO-në mendoj se mund të ndodhë edhe ajo që ta përkrahë, se kjo nuk do të bëhet nesër, ka minimum një vjet për ta bërë këtë iniciativ. Edhe nëse kjo nuk bëhet pas një viti, bëhet pas dy vitesh. Atëherë do t’i hapim kapitujt. Domethënë kjo nuk është urgjente për KE-në, sa është e pritshme dhe e nevojshme për ne. Kjo është i gjithë narrativi këtu, domethene nuk është si me ndryshimet në Marrëveshjen e Prespës, se me të anëtarësimi u bë menjëherë”, vlerëson Musliu.

Ndryshe nga Ristevska, Musliu konsideron se ky ndryshim kushtetues nuk është precedent pasi në kushtetutën tonë ka plot popuj. Prandaj, ai nënvizon se nuk duhet të bëjmë paralele ndërmjet situatave. VMRO-ja fillimisht, thotë ai u deklarua se nuk është kundër futjes së bullgarëve, dhe pasi pati tensione, e kushtëzoi me reciprocitet. Por, shton Musliu, Bullgaria nuk ka në kushtetutë dhjetë komunitete, ka vetëm një dhe nuk beson që ata do ta ndryshonin konceptin kushtetues për Maqedoninë, pasi ata janë brenda BE-së.

“Është fakt se kërkesat bullgare, qëndrimet bullgare nuk janë racionale, janë qëndrime tamam ballkanike, por realiteti është ky. Nuk kërkojnë ata që të ndryshojmë koncept kushtetues, se ne atë koncept kushtetues e kemi, dmth vetëm shtohen tre-katër komunitete, shofim se edhe gjatë kohë duan të jenë pjesë e kushtetutës. Nuk është si me disa obligime shtesë që i kemi marrë me Marrëveshjen e Prespës, ne këto obligime që i kemi me Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, i kemi obligime prej 2017-tës. Dmth ndryshimi kushtetues as i shton obligimet tona, as i zvogëlon, ato ngelen të njëjta ashtu siç janë marrë vesh në 2017. Tani ne si shtet gjithmonë jemi në kriza. Këtu edhe kur hip çmimi i rrymës bëhet krizë dhe nuk është diçka për tu habit ose e jashtëzakonshme”, thotë Musliu.

Ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut bëhet me 80 vota deputetësh dhe për këto ndryshime duhet të marrë pjesë edhe opozita maqedonase, e cila e kundërshton një nismë të tillë. Nga ana tjetër, është edhe parakusht për vazhdimin e procesit negociues.

Hapja e Kushtetutës, ndërkohë dhe përfshirja e bullgarëve dhe pakicave tjera në të do të zgjidhë edhe çështje tjera të hapura në Maqedoninë e Veriut, siç është edhe formulimi i gjuhës shqipe, e cila në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut është e shkruar si “gjuha që e flasin mbi 20% e popullatës dhe që është e ndryshme nga maqedonishtja”. Kjo sipas ekspertëve do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin e vendit.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.