Berisha për marrëveshjen e arritur mes Serbisë dhe Kosovës: Hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur

Lidhur me arritjen e marrëveshjës së re për dokumentet e identifikimit nga Kosova dhe Serbia ka reaguar edhe kreu i opozitës, Sali Berisha.

Berisha shkruan në llogarinë e tij në Fcebook se PD ka mbështetur pa lëkundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve.

POSTIMI I KREUT TË PD:

Një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur!
Të dashur miq, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zgjidhjen e problemit të dokumentave bazuar mbi parimin e barazisë dhe reciprocitetit të kërkuar nga qeveria e Kosovës dmth njohjen respektive të dokumentave të njëra-tjetrës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Partia Demokratike ka mbështetur pa lëkundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve.

Me këtë rast, Partia Demokratike, duke vlerësuar lart kontributin e të deleguarve të veçantë për dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, përshëndet arritjen e kësaj marrëveshje si një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe uron që mbi bazën e parimeve te barazisë dhe reciprocitetit, parime universale në marrëdhëniet midis vendeve, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të mëdha midis dy vendeve.

Vetëm një Ballkan i vendeve sovrne dhe te barabarta do mund të jetë një rajon paqe, stabiliteti dhe integrohet i sigurte në BE dhe NATO! sb