Vdes në moshën 83-vjeçare aktori i njohur i “Goodfellas”


Aktori amerikan Paul Sorvino, i njohur për rolin e Paulie Cicero në filmin klasik të mafiozëve të vitit 1990, Goodfellas, ka vdekur në moshën 83-vjeçare.

Roger Neal, publicisti i tij, tha se ai vdiq nga shkaqe natyrale në shtëpinë e tij në Indiana.

Gjatë një karriere filmike dhe televizive që filloi në vitin 1970, aktori i nominuar për çmimin Tony ishte më i njohur për portretizimin e tij të policëve dhe gangsterëve. Ai la gruan dhe tre fëmijët.

Në një deklaratë pas vdekjes së tij, gruaja e tij Dee Dee Sorvino tha se “nuk do të ketë kurrë më një Paul Sorvino. Ai ishte dashuria e jetës sime dhe një nga interpretuesit më të mëdhenj që ka zbukuruar ndonjëherë ekranin dhe skenën”.

I lindur në Bruklin në vitin 1939, Sorvino – nëna e të cilit ishte mësuese pianoje – e filloi karrierën e tij në biznesin e shfaqjes me muzikalin “Bajour” në 1964.