Tregu i kafshëve në Kumanovë, ja si është situata para Kurban Bajramit (FOTO)
Pamje e zymtë që në hyrje-dalje. Disa lopë, dele, dhi dhe asgjë më shumë. E tillë ishte situata sot në tregun e kafshëve të Kumanovës, që ekziston prej shumë vitesh.

Open-TV që në orët e para të mëngjesit qëndroi në tregun e kafshëve për të parë atmosferën në vigjilje të Kurban Bajramit. Kilogrami i kafshëve të gjalla shkonte deri në 3 euro.

Tregtarët që i kishin nxjerrë në shitje kafshët e tyre ankohen se njerëzit nuk kanë para për të blerë kafshë.

“Unë e kam sjell këtë kafshë me shit, por nuk shkon pazari. Njerëzit nuk kanë para. As tregu i kafshëve nuk është më si më parë. As interesim nuk ka”, deklaroi Artan Shaini, tregtar.

Në anën tjetër, blerësit e paktë që i takuam na thanë se kafshë ka shumë pak.

“Kemi dal me ble dicka për kurban Bajram, por nuk ka ka kafshë. Njerëzit kanë ikur në Evropë dhe tokat kanë mbetur shterpë. Punët i kemi kyrqysh. Këtu punë s’ka, kemi dal, por s’ka asgjë. Populli është larguar. Kafshët nuk po i ruajnë, sepse nuk po ka llogari. 20 denar është bërë një kg koncentrat. Kështu…”, u shpreh Qerim Arifi, një burrë në moshë.

Situata e tillë në tregun e kafshëve në Kumanovë prej viti në vit po vjen duke u përkeqësuar. /Open-TV.