Tensione në Bullgari/ Eurodeputeti i IMRO protestë para shtëpisë së Borisov


Eurodeputeti i IMRO -s, Angel Djambazki, së bashku me mbështetësit e partisë, bllokuan shtëpinë e liderit të GERB, Bojko Borisov, në Bankya.

Protesta ka nisur këtë mbrëmje, ndërsa Borisov nuk është parë, shkruan Flagman.bg.

Shkak për pakënaqësinë e tyre është kërkesa e GERB-it që të mbështesë propozimin francez për Maqedoninë e Veriut për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Para shtëpisë së ish-kryeministrit pati edhe përplasje të vogla, por tensionet u zbutën pasi Djambazki i siguroi se qëllimi i tyre nuk ishte të krijonin situata të pakëndëshme. Ai iu drejtua përfaqësuesve të GERB-it se janë para vendimeve të rëndësishme dhe duhet të mbrojnë qëndrimet bullgare.

“Ne kemi ardhur të takohemi me njeriun që heziton. Ne duam t’i themi zotit Borisov dhe të gjithë deputetëve se kjo kauzë i kalon të gjitha grindjet e brendshme partiake. Nuk duhet lejuar tradhtia kombëtare në ditët në vijim”, kërkoi Djambazki.

“GERB nuk ka kryer kurrë tradhti kombëtare. Ne kemi nënshkruar Marrëveshjen e Fqinjësisë. Komisioni Evropian dhe e gjithë BE-ja janë garantues për përmbushjen e kushteve dhe kushtet e vendosura nga GERB janë të përfshira në këtë propozim”, tha presidenti i MGERB, Georg Georgiev.

Nga ana e saj, kryetarja e grupit parlamentar të GERB, Desislava Atanasova, lexoi propozimet e partisë për të mbrojtur interesin kombëtar të Bullgarisë.