Përderisa Maqedonia e Veriut e pret propozimin përfundimtar të kryesimit francez për të parë nëse është i pranueshëm për vendin ose jo, Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE thotë se fajtor për dështimin diplomatik e ka treshja Kovaçevski, Osmani dhe Mariçiq dhe kjo duhet të pasojë me dorëheqjen e tyre.

“Kryeministri pohon se nuk e ka marrë propozimin, atëherë përse është kryeministër, ose ndoshta e ka marrë, por nuk do ta shpërndajë, atëherë ku e ka kapacitetin demokratik. Një pjesë e Qeverisë thotë se e refuzuam propozimin francez, të paktën kështu mund t’i interpretojmë fjalët e kryeministrit Kovaçevski, ndërsa Bujar Osmani thotë se ne nuk e refuzuam, kishim disa vërejtje, por nëse në ditët në vijim marrim propozime shtesë, nuk përjashtohen mundësia për ta pranuar”- deklaroi Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE.

Milloshoski vlerëson se kjo Qeveri si asnjëherë me parë ka prishur raportet me Bullgarinë dhe ka dëmtuar procesin euro integrues të vendit dhe ka dëmtuar interesat shtetërore dhe kombëtare. Por pushteti pretendon të kundërtën. Akuzojnë se VMRO-DPMNE punon për interesa të huaja dhe po shpërndanë lajme të rrejshme.