Komisioni Evropian ka lëshuar 2 milionë euro për ndihmë urgjente për të prekurit nga përmbytjet aktuale në Bangladesh dhe Indi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga mbështetja do të përfitojnë njerëzit e prekur dhe të zhvendosur në rajonet më të goditura të dy vendeve fqinje dhe do të kanalizohet përmes partnerëve të BE-së për ndihmë humanitare në terren.

Përmbytjet nga reshjet muson në Bangladesh kanë marrë tashmë 84 jetë. Mbi 4,5 milionë njerëz janë bllokuar në rajonin verilindor Sylhet.

Sipas përditësimit të fundit nga Qendra e Parashikimit dhe Paralajmërimit Kundër Përmbytjeve (FFWC), me përjashtim të lumenjve të fuqishëm Gange dhe Padma, niveli i ujit në zonën e përmbytjeve do të ulet në 24 orët e ardhshme në Bangladesh.

Sipas parashikimit, lumi Teesta mund të rritet pasi ka mundësi për reshje mesatare deri të dendura në Jalpaiguri në shtetin Indian të Bengalit Perëndimor dhe Sikkim.

Përmbytjet që prekën një të tretën e Bangladeshit ndodhën më së shumti për shkak të shirave të dendur dhe një vërshimi të ujit në rrjedhën e sipërme nga India. Përmbytjet shkaktuan gjithashtu sëmundje të shkaktuara nga uji dhe një krizë serioze të ushqimit dhe ujit të pijshëm në të gjithë vendin.

“Musoni i rëndë dhe përmbytjet në Bangladesh dhe Indi kanë lënë pas një gjurmë shkatërrimi. Me shumë njerëz që kanë humbur anëtarët e familjes, shtëpitë, gjërat dhe burimet e jetesës, situata humanitare është e rëndë dhe pritet të përkeqësohet në ditët në vijim”, tha në një deklaratë të premten Komisioneri Evropian për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic.

Për Bangladeshin, BE-ja ka lëshuar 1,2 milion euro ndihmë humanitare për njerëzit e prekur nga përmbytjet në rajonet verilindore dhe veriore të vendit, thuhet në deklaratë.

Përmbytjet e këtij viti konsiderohen më të këqija se ato të viteve 1998 dhe 2004.

Për Indinë, BE-ja siguroi 800 mijë euro në ndihmë urgjente me fokus për të mbështetur njerëzit në zonat më të prekura të shtetit Assam, njoftohet më tej.

Më herët, SHBA-ja ka njoftuar 244.680 dollarë si fonde emergjente në përgjigje të përmbytjeve katastrofike në zonat e Bangladeshit verior, kurse Mbretëria e Bashkuar ka lëshuar ​​​​fonde emergjente në vlerë 442.548 funte.