Tracey Ferrin ishte shtatzënë me fëmijën e saj të dytë ku kuptoi se diçka nuk shkonte. Ndërsa vazhdonte angazhimin në volejboll, ajo ndjeu një dhimbje në këmbë. Por Tracey nga Teksasi, e cila tashmë ishte nënë e foshnjës Elly, ishte vetëm 18 vjeç në atë kohë dhe nuk mendonte se dhimbja ishte serioze.

Megjithatë, kur Tracey dhe burri i saj Nick shkuan në kishë një të dielë me familjen e saj, një mjek i specializuar për gjunjët e këshilloi që të shkonte në spital. Ajo shkoi në spital të nesërmen për skanime dhe mori një diagnozë të tmerrshme – ajo kishte osteosarkomë, një lloj kanceri kockash.

Papritur Tracey u përball me një zgjedhje: të abortojë fëmijën e saj dhe të fillojë kimioterapinë ose të vonojë trajtimin dhe të rrezikojë shëndetin e saj për t’i dhënë fëmijës shanset për të mbijetuar. Ajo vendosi që të mos ta ndërpriste shtatzëninë dhe e shtyu kimioterapinë deri në muajin e gjashtë.
Filloi kimion kur hyri në tremujorin e saj të fundit dhe filluan t’i binin flokët. Por ndërsa përballej me këtë periudhë të vështirë, partneri i saj, Nick e la. “Ai nuk mund ta përballonte atë,” kujton Tracey. “Ai ishte i mërzitur që nuk isha fokusuar në shëndetin tim”.

“Mund të flas për këtë tani, por në atë kohë isha zemërthyer. Isha shtatzënë, kisha një fëmijë 10 muajsh dhe luftoja për jetën time”. Pas çdo seance, ajo duhej të merrte ilaçe për të ndaluar kontraktimet. 6 javë para se të lindte, mjekët thanë se nuk mund të prisnin më dhe se duhej të sillte fëmijën në jetë.

“Më kujtohet se mendoja, ‘a po lind një alien?’ sepse mjekët e mi nuk kishin lindur kurrë një fëmijë që ishte ekspozuar ndaj kimioterapisë më parë. Isha tullace dhe prisnim që të kisha një fëmijë tullac, por ajo doli me një kokë plot flokë të errët. Ajo ishte sigurisht e vogël, por ishte mirë,” tha Tracey për të bijën.

Tracey mban në dorë të porsalindurin Fayth

Asaj iu desh që të rifillonte kimioterapinë dy javë pas lindjes dhe nëna e saj u kujdes për vajzat gjatë trajtimit. “Mamaja u bë kujdestarja kryesore për fëmijët e mi dhe për mua. Nuk mund të bëja as ushqim për Fayth sepse nuk kisha energji. Mamaja në thelb po e bënte rolin e nënës për fëmijët e mi”.

Për vitin e ardhshëm, Tracey vazhdoi trajtimin, i cili përfshinte një operacion për të hequr një pjesë të tumorit nga këmba. “Nuk mund të ecja për 10 muaj. Kur je duke bërë kimio, trupi shërohet shumë më ngadalë”. Pas më shumë se një viti viti trajtimi rraskapitës, Tracey u përpoq të rikthehej në jetën e saj të vjetër.

“Tranzicioni ishte më i vështirë nga sa mendoja. Nuk mund t’u tregoja njerëzve që nuk e kishin kaluar, sepse thjesht nuk e kuptonin. Kur je në atë situatë, kalon në modalitetin e mbijetesës dhe nuk ke kohë për të përpunuar asgjë. Por kur e gjitha mbaron, atëherë kjo të godet”, tha ajo

Tracey shtoi se kaloi shumë kohë vetëm dhe se e kishte të vështirë të ishte sërish e shoqërueshme. “Po mësoja gjithashtu se si të bëhesha nënë e dy vajzave dhe kjo përfshinte shumë rregullime. Nuk e dija se çfarë do të bëja me jetën time tani e tutje”, tha ajo.

Por ndërsa ishte në kishë me familjen e saj një vit pasi mbaroi kimio, Tracey takoi një djalë të quajtur Ryan – i cili u fut shpejt në jetën e saj. “Ai më rrëmbeu menjëherë,” qeshi ajo. “Pas takimit tonë të parë, shkova në shtëpi te mamaja ime dhe i thashë: ‘Do të martohem me të’.

Katër javë më vonë, parashikimi i Tracey u bë i vërtetë kur Ryan i propozoi. Tre muaj pas fejesës së tyre, dyshja u martuan. Tani ata kanë dy djem 17 vjeç dhe 13 vjeç. Elly dhe Fayth, tani 22 dhe 20 vjeç, janë rritur me Ryan duke e konsideruar si babanë e tyre. Ajo thotë se nuk ka mëri ndaj ish burrit të saj.

“Unë kurrë nuk e kam fajësuar atë.”, tha ajo. Ajo thotë se këto vështirësi që kaloi në jetë e kanë bërë më të fortë si fizikisht dhe mendërisht.