Revolucion te PSG-ja

Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo u shkarkua nga posti i tij mbrëmë pas ndeshjes së fundit të sezonit ndaj Metzit ku skuadra nga kryeqyteti francez triumfoi në shtëpi me rezultatin 5-0.

Ky lajm është bërë i ditur nga mediat botërore, ku thuhet se shkarkimi i 52-vjeçar brazilian, në detyrë që nga viti 2019, vjen pak orë pas zgjatjes së kontratës së Kilië Mbapesë deri në vitin 2025 me parizienët.

Pas fitores 5-0 ndaj Metzit dhe përmbylljes së festimeve për titullin kampion, media të ndryshme kanë komunikuar vendimin e PSG-së për t’u ndarë nga një prej drejtuesve më të rëndësishëm.

Braziliani ishte gjithashtu më parë dhe futbollist i PSG-së duke mbajtur veshur fanellën nga viti 1996 deri në 1997.

Sipas mediave të ndryshme, portugezi Luis Kampos mund të marrë postin e drejtorit sportiv të klubit të PSG-së.