-ads3-

Rajoni separatist i Gjeorgjisë, Osetia Jugore, do të mbajë një referendum për bashkimin me Rusinë, më 17 korrik.

Këtë e bëri të ditur udhëheqësi i rajonit, Anatoly Bibilov, duke përmendur “aspiratën historike” të popullit të tij për t’u bashkuar me Rusinë.

Osetia e Jugut ishte në qendër të luftës ruso-gjeorgjiane në vitin 2008, pas së cilës Kremlini njohu territorin, së bashku me një rajon tjetër separatist, Abkhazinë – si një shtet të pavarur, dhe vendosi baza ushtarake atje.

“Ne po kthehemi në shtëpi. Ka ardhur koha të bashkohemi njëherë e përgjithmonë. Osetia e Jugut dhe Rusia do të jenë bashkë. Ky është fillimi i një historie të re të madhe”, tha Bibilov në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Bibilov humbi në zgjedhjet e mbajtura pare pak javësh, ndërsa Rusia ka shprehur shpresën se lideri i ardhshëm, Alan Gagloev, do të ruajë vazhdimësinë në lidhjet me Moskën.

Njoftimi erdhi në ditën e 79-të të agresionit të Rusisë në Ukrainë, me mijëra të vrarë dhe më shumë se gjashtë milionë njerëz që u larguan nga vendi pro-Perëndimor.

Gjeorgjia ka cilësuar më parë si “të papranueshme” planet e Osetisë së Jugut për të mbajtur një referendum për bashkimin me Rusinë, raporton Guardian, transmeton Klankosova.tv.

Në gusht 2008, Rusia nisi një sulm kundër Gjeorgjisë, e cila po luftonte me milicinë pro-ruse në Osetinë e Jugut, pasi ata bombarduan fshatrat gjeorgjiane. Luftimet përfunduan pesë ditë më vonë me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por mori më shumë se 700 jetë dhe u shpërngulën dhjetëra mijëra gjeorgjianë etnikë.

Rajonet separatiste të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, kanë shprehur gjithashtu interes për t’u bashkuar me Rusinë.