Kurti flet për vizitën e tij në Iowa: Kosova shembull i avancimit të partneritetit ndërshtetëror

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Iowa të ShBA-së.

Ai përmes një postimi në facebook, foli për takimet e zhvilluara dhe për ato që e karakterizuan këto takime.

Kurti tha se partneriteti i fortë ndërmjet Kosovës dhe Iowa-s, dhe potenciali për rritje të bashkëpunimit, ishin në qendër të takimit që pati me Guvernatoren e Iowa-s, Kim Reynolds.

“Biseduam për krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit, për rritjen e investimeve, ngritjen e kapaciteteve njerëzore, shfrytëzimin e potencialit natyror si dhe për promovimin e vlerave të përbashkëta të të dyja vendeve”, ka shkruar Kurti në facebook.

Për mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të ekspertizës në fushën e bujqësisë bisedoi me Sekretarin e Bujqësisë së Iowa-s, Mike Naig, të cilin e njoftoi për reformat e qeverisjes për bujqësi, që për qëllim kanë ngritjen e prodhimit, cilësisë dhe sigurisë së ushqimit, si dhe ringjalljen e fshatit.

“Në një takim të organizuar nga Greater Des Moines Partnership diskutuam për kushtet e të bërit biznes dhe për investime në Kosovë me drejtorë të zhvillimit ekonomik të disa qyteteve, përfaqësues të ndërmarrjeve prodhuese dhe shërbyese, me fokus në industrinë e sigurimeve, bujqësisë, sektorit bankar dhe me ndërmarrës nga mërgata shqiptare”.

Së bashku me Ryan Carroll nga Greater Des Moines Partnership, përuruan hapjen e Shërbimeve Konsullore të Republikës së Kosovës.

“Të parët që u regjistruan formalisht ishin dy fëmijët e familjes Kërveshi, që jetojnë në IoWa të ShBA-së prej vitesh, të cilëve ua dorëzuam certifikatat e shtetësisë së Republikës së Kosovës. Hapja e shërbimeve do të përmirësojë lidhjet e Konsullatës së Republikës së Kosovës me mërgatën tonë në Ioëa, por edhe marrëdhëniet me shtetin e Iowa-s dhe më gjerë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Partneriteti i Republikës së Kosovës me Gardën Kombëtare të shtetit të Iowas çmohet si një prej partneriteteve më të mira nga 74 partneritete ndërshtetërore të Gardave Kombëtare me shtetet e tjera. Kosova shpesh merret si shembull i avancimit të partneritetit ndërshtetëror”.

Në kuadër të bashkëpunimit në sektorin e arsimit, është pritur nga presidenti Rob Denson i Des Moines Area Community College, i cili ndau bursa të plota për 10 studentët e tij të parë nga Kosova, si dhe, sipas Kurtit, ka arsimuar 26 studente gra në fushën e energjisë, në kuadër të programit “women in Energy” të Fondacionit të Mileniumit të Kosovës.

“Këto 26 gra janë diplomuar tashmë, janë kthyer në Kosovë dhe pothuajse të gjitha janë punësuar në sektorin e energjisë. Gjatë takimit me presidentin Denson, e falënderova për bashkëpunimin e deritanishëm me Kosovën dhe u dakorduam që të thellojmë edhe më tej bashkëpunimin, sidomos me qëllim të transferimit të njohurisë dhe ekspertizës nga ShBA-ja në Kosovë”.

Më pastaj, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se kanë vizituar kontingjentin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët po zhvillojnë trajnime së bashku me ushtarët e Gardës Kombëtare të Iowa-s.