Bërnabiç-Kovaçevski: Bashkëpunimi dhe stabiliteti, me rëndësi për të ardhmen e Ballkanit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, vlerësojnë se bashkëpunimi dhe stabiliteti mes shteteve ka rëndësi të madhe për të ardhmen e Ballkanit.

Në Samitin Ekonomik “Maqedonia 2005” në Shkup, të mërkurën më 18 maj, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se në kohën e krizës së madhe ekonomike, me të cilën për përballet bota, përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimi, paqja dhe stabiliteti janë prioritetet kryesore të Serbisë.

“Prioriteti ynë, i parë dhe kryesor, është bashkëpunimi rajonal, ruajtja e paqes dhe e sigurisë pasi në këto kohëra të vështira, përplot me sfida, ato janë mënyra e vetme dhe një ndër çështjet e rralla që ne këtu duhet t’i mbajmë. Nëse arrijmë të ruajmë paqen dhe stabilitetin, atëherë hapim mundësinë për rritje të mëtejmë të ekonomisë dhe të sigurojmë prosperitet në këto kohë të vështira. Pra, paqja, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal, janë prioritetet kryesore në këto kohëra të vështira, në veçanti për kontinentin evropian”, deklaroi Bërnabiq.

Kryeministrja e Serbisë theksoi se vendet e Ballkanit duhet të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha sferat, si në arsim, ekonomi, e sfera tjera që kërkojnë përkushtim më të madh.

“Ekonomia nuk është e tillë që të mëdhenjtë t’i hanë të vegjlit, por të shpejtit t’i hanë të ngadalshmit. Ne jemi më të vegjël, por nëse shohim nga perspektiva e biznesit, shtetet më të vogla dhe kompanitë më të vogla më shpejt po i përshtaten situatës, janë më të shpejta, janë më fleksibile, pra munden më shpejt të reagojnë ndaj krizave, sfidave e kështu me radhë. Kjo është ajo që ne duhet ta shfrytëzojmë dhe këtë mund ta bëjmë edhe më mirë nëse investojmë në ekonomi, arsim, shkencë, hulumtime, sferën e digjitalizimit pasi vetëm kështu mund ta ndrisim produktivitetin tonë”, tha Bërnabiq.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian duhet të jetë prioritet kryesor, pasi, sipas tij, çdo zmbrapsje nga ky objektiv mund të rikthejë nacionalizmat e para 20 vjetëve.

Kovaçevski tha se bashkëpunimi rajonal nuk duhet të diskutohet, porse të nisë të zbatohet në praktikë.

“Bashkëpunimi rajonal duhet të zbatohet dhe jo të diskutohet. Bashkëpunimin rajonal e konsideroj si shumë të rëndësishëm së bashku me kolegët nga Serbia, Shqipëria dhe vende tjera të Ballkanit Perëndimor. Bashkëpunimi rajonal është me rëndësi të madhe… Ne duhet të vazhdojmë me orientimin strategjik drejt BE-së, pavarësisht të gjitha pengesave që i kemi. Duke marrë parasysh atë që kemi kaluar në 20 vitet e fundit, ideja e zgjerimit të BE-së është me rëndësi të madhe pasi në të kundërtën do të kemi rritje të nacionalizmave. Prandaj, të gjithë ne, në veçanti ata që drejtojnë shtetet, duhet të qëndrojnë në kursin e integrimit evropian”, deklaroi Kovaçevski.