“Ballkani i Hapur”, Hoxhaj: Nisma e Ramës nuk dëmton Kosovën, kërkon zhvillim përmes hapave të ndërmjetme

Në një situatë kritike ndërkombëtare, ku vëmendja e opinionit publik ndërkombëtar është fokusuar tek ngjarjet në Ukraine , mund të ketë një zhvillim pozitiv për njohjen e ndërsjellët midis Prishtinës dhe Beogradit? Ish-ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj, i ftuar në emisionin “ Debat”, mendon se është momenti gjeopolitik i duhur.

“Sa herë kemi dialoguar me Serbinë, kjo ka qenë ka qenë një kontratë me Perëndimin, që ka sjellë edhe pavarësinë e vendit. Nëse kryeministri Kurti e kupton rolin e tij, duhet të ishte në krye të detyrës dhe të tentojë arritjen e një njohje të ndërsjellë, ndërkohë që tani Serbia është më e izoluar se kurrë për shkak të politikës pro ruse, dhe gjërat vlerësohen kur e sheh marrëveshjen në tavolinë. Kosova duhet të negociojë me vizion dhe vendosmëri, se ka të bëj me të ardhmen e saj. Kurti nuk po lëviz. Nëse Kosova në vitin 2008 do të anëtarësohej në OKB, do të isha i pari që do të refuzoja dialogun me Serbinë, por pas 15 vitesh nuk dua të shoh ende vendin tim jashtë organizmave ndërkombëtare. Shumë qytetarë në Kosovë nuk shqetësohen për këtë, por pas 5 vitesh nga kjo politike mund t’i vij një faturë e fortë, që të thyen kurrizin”.

Sipas Hoxhajt, roli i Tiranës zyrtare në fillimin e këtij dialogut ka qenë “e shkëlqyeshme”. Por si e cilëson ai nismën e Ballkanit të Hapur, të cilës me gjasa mund t’i bashkohet edhe Mali i Zi i kryeministrit Dritan Abazovic? “

“Sa kam qenë ministër i Jashtëm e kam kundërshtuar Minishengenin, duke menduar se brenda disa viteve do të mbyllej çështja e njohjes së ndërsjellët, dhe më pas do të merreshim me bashkëpunimin ekonomik. Por qeveria e Zotit Kurti nuk po shtyn përpara dialogun, nuk po i beson procesit të Berlinit. Unë e kam kuptuar qasjen e kryeministrit Edi Rama jo si diçka për të dëmtuar Kosovën, por si diçka për të lëvizur Ballkanin përmes disa hapave të ndërmjetme. Kur nuk mund të ketë një kthesë, je i detyruar të ndërmerren këto hapa që janë edhe rezultat i politikës së moszgjerimit të BE-së. Kosova mund të ketë aty kërkesa specifike, është një grup jo formal shtetesh”.