Rona Nishliu me anë të një postimi në Instagram ka kujtuar kohën kur nga aty e kishin larguar policia serbe
Këngëtarja kosovare, e cila mahniti Europën me zërin e saj bombastik në Eurovision, deri në atë kohë kishte jetuar në një shtëpi, bashkë me familjen e saj, kur befas aty ishin shfaqur ushtarë serb.
“Para 23 vitesh, nuk kisha mbush’ 13, dhe në një ditë të zymtë si kjo, gjendje lufte në Kosovë, po shikonim televizor familjarisht, kur hop nga dritarja shifen ushtarë të maskuar në oborrin tonë! Ja pra ku na u shfaqën forcat paramilitare serbe”, ka shkruar fillimisht ajo.
E kjo vizitë bëri që ajo mos të kthehet më asnjëherë në shtëpinë, e cila nga fotot duket tërësisht e djegur.
“Rrapllimat nëpër dyer e dritare nuk vonuan, ata hynë, e çfarë ndodhi brenda, ditën e fundit timen brenda asaj shtëpie, do t’ju tregoj një herë tjetër. Nejse, na përzunë nga shtëpia jonë dhe na thanë të ikim në Shqipëri. Që nga ajo ditë nuk u kthyem dot më aty, vullnetshëm e lirshëm, si çdo shtetas tjetër i këtij vendi pas lufte. 23 vjet fluturuan e zgjidhje akoma s’ka për veriun e Mitrovicës! The rest is history…”, ka shkruar Rona.