Jens Stoltenberg do të bëhet guvernatori i ardhshëm i Bankës Qendrore të Norvegjisë, kur mandati i tij si sekretar i përgjithshëm i NATO-s do të përfundojë në fund të këtij viti, njoftoi të premten qeveria norvegjeze.

“Jam mirënjohës për besimin dhe mezi pres të marr përsipër punën”, tha Stoltenberg për punën që ai do të fillojë më 1 dhjetor.

Guvernatori aktual i Bankës së Norvegjisë, Oystein Olsen, është vendosur të tërhiqet, pasi ka mbajtur postin që nga fillimi i vitit 2011.

Stoltenberg, 62 vjeç, ishte ministër norvegjez i financave nga viti 1996 deri në 2000 dhe kryeministër nga 2000 deri në 2001. Ai u bë sërish kryeministër i Norvegjisë në vitin 2005, një post që e mbajti për tetë vjet të tjera.

Ai do të heqë dorë nga roli i tij si kreu i NATO-s në fund të shtatorit, raporton DW.

Stoltenberg u bë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në vitin 2014 dhe pas një mandati të parë të suksesshëm, mandati i tij në aleancën ushtarake perëndimore u zgjat.

Sipas burimeve të aleancës, ish-kryeministrja britanike, Theresa May, kryeministri holandez, Mark Rutte, kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe presidenti rumun, Klaus Iohannis, janë shpallur të gjithë si kandidatë të mundshëm për të pasuar Stoltenbergun.