Klubi i Eskisehirspor në Turqi i ka ndërprerë kontratën futbollistit Egehan Has, pasi ky i fundit kishte postuar një selfie në rrjetet sociale. Arsyeja? Ai ka zemëruar tifozët, por edhe klubin pasi kishte veshur një bluzë ku shkruhej Galatasaray.

Deri pak ditë më parë, 15-vjeçari luante si portier për ekipin U17, klub me seli në Eskisehir që luan në TFF 2 Lig – kategoria e tretë e kampionatit turk të futbollit.

Kështu, djaloshi kishte shpërndarë në profilet e tij sociale selfie të realizuara në stërvitje, por detaji që kanë rënë në sy nuk u ka pëlqyer tifozëve të klubit të tij. Lojtari i ri kishte veshur një fanellë të Nike Galatasaray dhe kjo bëri bujë të madhe te Eskisehirspor.

Tifozët e zemëruar të Eskisehirsporit nxituan në rrjetet sociale dhe sulmuan ashpër të riun, por gjithashtu i kërkuan klubit ta largonte. Drejtuesit reaguan shpejt dhe i ndërprenë kontratën.

“Egehan Hasi, një nga lojtarët e rinj, është larguar nga klubi ynë për shkak se ka postuar foto në rrjetet e tij sociale teksa stërvitej në palestër, me veshje me emrin e një klubi tjetër”, ka thënë skuadra turke e kategorisë së tretë.

Zemërimi i tifozëve të Eskisehirspor ka shkaktuar reagime edhe nga tifozët e Galatasaray. Tifozët e klubit të Stambollit kanë shkruar mesazhe mbështetjeje për 15-vjeçarin, por jo vetëm kaq.

Sipas gazetës turke FotoMac, Galatasaray synon të kontaktojë me të dhe ndoshta t’i ofrojë një kontratë.