Parlamenti i Malit të Zi ka filluar debatin për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit.

Deputeti i Lëvizjes Qytetare URA, Millosh Konatar, duke shpjeguar propozimin tha se kriza aktuale në Mal të Zi duhet të zhbllokuar.

Ndonëse Qeverinë e quajti historike, sepse është e para pas qeverisjes tridhjetëvjeçare të Partisë Demokratike të Socialistëve, Milo Gjukanoviq, Konatar vlerësoi se ajo e ka arritur limitin.

“Vendimi është i vështirë, por është në interes të qytetarëve të Malit të Zi. Mali i Zi është në bllokadë politike institucionale. Kjo qeveri ka funksionuar si qeveri e pakicës që nga fillimi dhe nuk kemi mundësi të marrim mbështetje për zhbllokimin e gjyqësorit dhe të kthejmë Malin e Zi në Bashkimin Evropian”, tha Konatar.

Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve, Danijel Zhivkoviq, në opozitë deklaroi se kjo parti është gati të bashkëpunojë me të gjithë për ta çuar vendin në rrugën e prosperitetit. Zhivkoviq ishte i indinjuar me partitë e shumicës parlamentare, sepse ata zgjodhën Krivokapiqin si kryeministër.

“Në thelb një autokrat, një fanatik fetar, i cili përqafoi të mirat materiale duke ardhur në Qeveri”, tha Zhivkoviq.

Demokratët reaguan ashpër ndaj nismës për rrëzimin e Qeverisë së Krivokapiqit, kryesisht për faktin se nisma do të votohet me votat e opozitës. Boris Bogdanoviq nga demokratët e ka quajtur vazhdimisht iniciativën tradhti:

“Ata që premtojnë një gjë, bëjnë një tjetër dhe përfundojnë me DPS-në, ne nuk kemi mesazh tjetër përveç se është tradhti”.

Më herët, të premten, Parlamenti malazez refuzoi të diskutojë propozimin e kryeministrit Krivokapiq për shkurtimin e mandatit të legjislativit. Shumica e deputetëve abstenuan gjatë votimit për të mos e futur atë pikë në rend dite.

Nga 77 deputetë, vetëm 29 votuan për debatin për shkurtimin e mandatit të Parlamentit, kryesisht ata nga Fronti Demokratik dhe Mali i Zi Demokratik, kurse abstenuan kryesisht deputetë nga opozita.

Synimi i Krivokapiqit ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në rast të shkurtimit të mandatit të Parlamentit.

Pika tjetër e rendit të ditës është votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Krivokapiqit e propozuar nga Lëvizja Qytetare URA e zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq dhe partia opozitare e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual Millo Gjukanoviq.

Ndonëse në fillim të seancës parlamentare erdhi kryeministri Krivokapiq dhe një numër tjetër ministrash, në sallën plenare mbeti vetëm ministri i Investimeve Kapitale, Mlladen Bojaniq.

Në rast se Kuvendi e voton mosbesimin ndaj Qeverisë së Krivokapiqit, ky do të jetë një fillim i negociatave për formimin e qeverisë së re.

Nisma për rrëzimin e Qeverisë është nënshkruar nga partitë e opozitës dhe Lëvizja Qytetare URA, të cilat kanë shumicën prej 44 deputetësh nga gjithsej 81 deutetë në Kuvend.

Epilogu i krizës politike

Votimi i propozimeve të përmendura paraqet epilogun e krizës politike që nga formimi i Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit, më 4 dhjetor 2020.

Qeveria e Krivokapiqit, e afërt me Kishën Ortodokse Serbe, u zgjodh me votat e tri koalicioneve fituese të kryesuara nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA në zgjedhjet e 30 gushtit 2020.

Qeveria qysh në fillim nuk e ka pasur mbështetjen e plotë të shumicës parlamentare në Kuvend, kurse konfliktet më të mëdha kanë shpërthyer në mes të kryeministrit Krivokapiq dhe Frontit Demokratik, një pjesë e partive në pushtet disa muaj e ka bojkotuar punën e Kuvendit, kurse muajt e fundit ka ardhur edhe deri te ndarja në mesin e ministrave, atyre besnikë të kryeministrit Krivokapiq apo të zëvendëskryeministrit Abazoviq.

Në deklaratën e tij të fundit publike më 3 shkurt, kryeministri Krivokapiq tha se është i vetëdijshëm se nuk do të jetë më kryeministër dhe se Qeveria e tij do të rrëzohet.

Ai akuzoi zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq se kishte planifikuar të rrëzonte Qeverinë shumë kohë më parë dhe se presidenti malazez, Milo Gjukanoviq është gjithashtu pjesëmarrës në këto marrëveshje.

Nga ana tjetër, Abazoviq ka thënë se pas rënies së Qeverisë së Krivokapiqit do të fillojnë bisedimet për formimin e një pushteti të ri ekzekutiv dhe se ka disa opsione, duke përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.

Të pakënaqura me nismën për rrëzimin e Qeverisë, disa parti politike dhe organizata të afërta me Kishën Ortodokse Serbe kanë nisur protesta në rrugë duke kërkuar që partitë e shumicës aktuale parlamentare të arrijnë marrëveshje për formimin e qeverisë së re.

Zëvendëskryeministri dhe koordinatori i shërbimeve të sigurisë, Dritan Abazoviq, tha se gjendja e sigurisë në Mal të Zi është e rregullt. /REL