Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se të mërkurën, më 2 shkurt, janë regjistruar gjashtë viktima dhe 2,590 raste të reja me koronavirus.

Rastet pozitive kanë dalë pas testimit të 12,259 mostrave.

Shkalla e pozitivitetit nga mostrat e marra është 21.12 për qind.

Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar edhe se 2.952 persona janë shëruar derisa 33,538 persona janë ende aktivë në koronavirus.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në mars të vitit të kaluar.

Prej atëherë janë dhënë mbi 1.7 milion doza të vaksinës.

Deri më tani, me dy doza të vaksinës janë imunizuar 806,268 persona apo 44 për qind e popullsisë.

Doza përforcuese e vaksinës mund të merret pas tre muajve të marrjes së dozës së dytë.