Stadiumi i Tetovës është lënë pas dore nga ana e autoriteteve për vite me radhë, kështu duke e lënë në gjendje të tmerrshme dhe pa përkujdesje. Rikonstruimi i tij u përmend vazhdimisht gjatë dy mandateve të Teuta Arifit, por asgjë nuk u ndërmor. Rikonstruimin e tij e premtoi edhe kryetari aktual, Bilall Kasami. Së fundmi, gjatë debatit publik për buxhetin e vitit 2022 të komunës, qytetarët ngritën këtë si çështje se a do të bëhet diçka në këtë drejtim për këtë vit, Kasami tha se brenda këtij viti do të fillojë meremetimi i stadiumit, shkruan Portalb.mk.
Tetova njihet jo vetëm në vend, por edhe në rajon për dy klubet e saja të futbollit, të shpallura shpesh herë edhe kampionë në nivel shtetëror, por kjo nuk ka qenë motiv për autoritetet të kontribuojnë në krijimin e një stadiumi me standarde.
Xhama të thyer, mbeturina gjithandej dhe mbishkrime që i japin një pamje dhe mesazh jo të mirë, janë vetëm disa nga elementet të cilat e identifikojnë stadiumin e qytetit të Tetovës.
Qytetarët nga autoritetet kërkojnë rregullimin dhe pastrimin e stadiumit, këtë e theksuan edhe gjatë debatit publik për buxhetin e Komunës së Tetovës për vitin 2022.
Kryetari i Komunës tha se ka një marrëveshje në fuqi me një kompani private që ajo do bëjë rregullimin, rinovimin dhe menaxhimin për një periudhë të caktuar të stadiumit.
“Kompania ka pasur disa hezitime sa i përket disa punëve të cilat është dashur ti bëjë komuna dhe nuk i ka bërë. Jemi në koordinim që ato punë të bëhen dhe kam një bindje që brenda 2022 do të nis meremetimi i stadiumit, jemi në fazën e rregullimit të çështjes së ndriçimit të cilin besoj se shpejtë do e rregullojmë në komunikim edhe me EVN-në që pastaj të vazhdoj edhe faza tjetër e rregullimit të stadiumit. Ka edhe disa dilema të tjera të cilat në bashkëpunim me kompaninë do ti zgjidhim që të mund të ja mundësojmë investimin që e ka paraparë që ajo pjesë të jetë e rregulluar”, tha Bilall Kasami.
Stadiumi i Tetovës, foto: Portalb.mk, Ardit Ramadani.
Ndërkaq për sa i përket pastrimit përreth stadiumit ai u shpreh se do ta diskutojnë me ndërmarrjen komunale që kjo pjesë e qytetit të pastrohet, ndërkaq theksoi edhe aksionin për pastrimin e qytetit i cili u anulua si shkak i tragjedisë në Bullgari dhe kushteve klimatike. Ai theksoi se në pranverë do të zhvillohet aksioni ku do të ketë pastrim gjeneral të qytetit.
Rikonstruimin e stadiumit Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.
“Ne si Lëvizje Besa do të angazhohemi që kompania “Ecolog” jo vetëm stadiumin por kompania Ecolog të jetë një partner strategjik i Komunës së Tetovës me gjithë kapacitetin investues që e ka dhe atë kapacitet ta orientojë në zhvillimin ekonomik lokal të Tetovës”, tha Bilall Kasami në #Debatpërnime me 14 tetor.
Se a do të realizohen këto në praktikë apo do të ngelin vetëm fjalë pa epilog, mbetet të shihet në vazhdim. Rikujtojmë që kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por asgjë nuk u realizua në terren.