Seanca ndërqeveritare Shkup-Sofje,Petkov jep urdhër të formohen katër grupe të punës

Disa ditë pas vizitës në Shkup, kryeministri i ri bullgar Kiril Petkov ka urdhëruar formimin e 4 grupeve të punës ndërsektoriale për bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut. Grupi i parë është në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe inovacionit. Grupi i dytë merret me infrastrukturën, transportin dhe lidhjet. Grupi i tretë ka të bëjë me bashkëpunimin evropian, tranzicionin e gjelbërt dhe transformimin digjital si dhe për sundimin e ligjit. Ndërsa grupi i katërt është i ngarkuar me çështjet e kulturës, shkencës dhe arsimit.

GRUPI PËR EKONOMI, TREGTI DHE INOVACION
GRUPI PËR INFRASTRUKTURË, TRANSPORT DHE LIDHJE
GRUPI PËR BASHKËPUNIM EVROPIAN DHE SUNDIM TË LIGJIT
GRUPI PËR KULTURË, SHKENCË DHE ARSIM

Këto grupe pune përbëhen nga ministrat dhe ekspertët e fushave adekuate. Më heret gjatë javës edhe Maqedonia e Veriut me vendim të Qeverisë formoi grupet e punës në këto fusha. Grupet e punës nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria takohen javën që vjen në Sofje, në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive. Në Shkup dhe Sofje po zhvillohet një dinamikë e re e dialogut dypalësh pas zgjedhjes së dy qeverive të reja. Kryeministri i ri Dimitar Kovaçevski filloi mandatin me takim pikërisht me homologun bullgar Kiril Petkov. Pas takimit u konstatua se ekziston përafrim mes palëve dhe pajtueshmëri për intensifikim të dialogut. Megjithatë kryeministri bullgar Petkov erdhi në Shkup me kërkesën për njohjen e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut dhe përfshirjen e tyre në Kushtetutë. Krerët shtetërore janë të ndarë rreth kësaj kërkese të Bullgarisë.

Për presidentit Stevo Pendarovski, kjo kërkesë nënkupton përzierje në punët e brendshme të shtetit. Sipas tij, bullgarët në Maqedoninë e Veriut duhet të realizojnë të drejtat e tyre individualisht dhe në kuadër të ligjeve ekzistuese dhe konventave evropiane. Ndërsa për kryeministrin Kovaçevski, kërkesa e kryeministrit bullgar është legjitime, por duhet të pritet momenti kur do të hapet kushtetuta e vendit.