Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, tha të hënën se porti i Tivarit po bëhej një destinacion “më pak i sigurt” për kontrabandën, por gjërat ende duhet të përmirësohen në drejtim të kontrollit të kontejnerëve.

Pas një seance parlamentare për sekuestrimin e fundit të 500 kilogramëve kokainë në Bar, Abazoviç tha se kontrollet në port po ndryshonin, por ende duhet të forcohen.

“Kontejnerët tani po kalojnë nëpër skanerë, por ne ende duhet t’i përmirësojmë gjërat. Ne kemi [dislokuar] policinë dhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, ANB, në zonën e lirë”, tha Abazoviç për mediat.

“Sasi të mëdha kokaine të sekuestruara janë pjesë e krimit transnacional. Por Mali i Zi po bëhet një destinacion që është i pasigurt për aktivitete kriminale”, shtoi ai.

Më 13 janar, policia sekuestroi 500 kg kokainë në kryeqytet, Podgoricë, pasi punëtorët në magazinë e kompanisë së shitjes me pakicë Voli në Bar gjetën pakot e fshehura në një ngarkesë banane.

Më 14 janar, prokurori special i shtetit Milivoje Katniç tha se kokaina ishte gjetur në Tivar, por policia dhe dogana e kishin lënë të largohej, duke u fokusuar në gjetjen e blerësit përfundimtar. Vetëm një person, Dj.D. nga Mali i Zi, ishte arrestuar dhe ndaluar.

Katniç tha gjithashtu se kishte dyshime se tre ton kokainë ishin kontrabanduar me sukses në Bar në dërgesat e bananeve më 2 qershor, 2 gusht dhe 14 tetor 2021, duke akuzuar sektorin e sigurisë për bashkëpunim të dobët.

Kreu i Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Parlamentit, Milan Knezeviç, nga ana e tij akuzoi Katniç për rezultate të dobëta në hetimet e kontrabandës së drogës.

“Situata e sigurisë në vend është dramatike, pasi autoritetet nuk mund të përgjigjen në mënyrën më të mirë. Është e pashpjegueshme pse zbatohen standarde të dyfishta në hetimet për kontrabandën e drogës”, tha Knezeviç të hënën.

Mali i Zi ka sekuestruar tre ngarkesa të mëdha kokaine të fshehura në ngarkesat e bananeve në tetë vitet e fundit.

Më e madhja ishte më 27 gusht 2021, kur policia sekuestroi 1400 kg kokainë në fshatin Mojanovici në rrethin e Zetës, afër Podgoricës, ku u gjet drogë, sërish në një ngarkesë banane.

Prokuroria ngriti akuza për kontrabandë kundër Budimir Krstoviç dhe vajzës së tij, Marina, pronarë të kompanisë që importonte bananet.

Në qershor të vitit 2014, dogana në Tivar sekuestroi 250 kg kokainë të kontrabanduar brenda një ngarkese me banane, në atë që u cilësua në atë kohë si transporti më i madh i drogës në vend.

Autoritetet pretenduan se kokaina kapte vlerën e rreth 12.5 milionë euro. Anija po transportonte banane nga Ekuadori në fqinjin e Malit të Zi, Shqipëri.

Mali i Zi është pjesë e një rruge të shkelur mirë për kontrabandistët e drogës që përpiqen të arrijnë tregjet fitimprurëse në Evropën Perëndimore.

Vendi ishte skena e një lufte të përgjakshme gjashtëvjeçare për tregtinë e drogës midis dy bandave rivale, bandës së Kavacit dhe bandës së Skaljarit nga qyteti i Kotorrit. Të paktën 40 persona në Mal të Zi, Serbi, Austri dhe Greqi u vranë gjatë konfliktit të bandave.

Bandat e Kavacit dhe Skaljarit i kanë marrë emrat e tyre nga lagjet e Kotorrit në Gjirin Boka të Malit të Zi. Konflikti nisi në vitin 2015, pasi 300 kilogramë kokainë u zhdukën nga një apartament në Valencia të Spanjës në vitin 2014.