Kovaçevski – Fon der Lajen: Komisioni Evropian e përshëndet dialogun e kryeministrave të Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski pasdite kishte bisedë telefonike me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursulla fon der Lajen e cila ia uroi zgjedhjen për kryetar të Qeverisë dhe i dëshiroi punë të frytshme dhe të suksesshme, kumtoi pres-shërbimi qeveritar.

Kryeministri Kovaçevski u falënderua për urimin dhe mbështetjen që kryetarja e Komisionit Evropian, Lajen ia jep Maqedonisë së Veriut.

Kovaçevski e njoftoi Fon der Lajen se integrimet evropiane mbesin një prej prioriteteve kulmore të Qeverisë së re. Gjithashtu ai e njoftoi kryetaren e KE-së me aktivitetet e Qeverisë në periudhën që vijon, masat dhe politikat që merren në drejtim të tejkalimit të krizës energjetike, si dhe masat ekonomike të Qeverisë.

Në bisedën telefonike u bë fjalë edhe për vizitën e fundit të kryeministrit bullgar Kiril Petkov në Shkup, që së bashku e vlerësuan si një hap pozitiv në tejkalimin e dallimeve dhe e përshëndetën fokusin në projekte dhe aktivitete të cilat janë të rëndësishme për të ardhmen.

Kryeministri Kovaçevski i riafirmoi edhe njëherë pozitat e vendit, për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

“Kryetarja e KE-së, Lajen e përshëndeti formimin e dialogut në nivel të kryeministrave midis dy vendeve dhe theksoi se Brukseli fuqishëm e mbështet këtë proces dhe se ajo personalisht, por edhe tërë Komisioni janë të gatshëm të ndihmojnë me qëllim që sa më shpejtë të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në kumtesë.

Kryeministri Kovaçevski dhe kryetarja e KE-së, fon der Lajen u dakorduan që shumë shpejtë të kenë takim direkt mes vete në Bruksel.