-ads3-

Super ylli Kim Kardashian dhe legjenda e boksit Floyd Mayweather Jr. po përballen me një padi që pretendon se të famshmit mashtruan investitorët në promovimin e tyre të një tokeni të një kriptomonedhe.

Padia e paraqitur më 7 janar në Gjykatën Federale të Los Angelesit, pretendon se të famshmit reklamuan tokenët e shitur nga EthereumMax, ose EMAX, në mënyrë që të rrisin çmimin e tij dhe të fitonin “në kurriz të ndjekësve dhe investitorëve të tyre”, shkruan Reuters.

“Drejtuesit e kompanisë, duke bashkëpunuar me disa promovues të famshëm… bënë deklarata të rreme ose mashtruese për EthereumMax përmes reklamave në rrjetet sociale dhe aktiviteteve të tjera promovuese”, thuhej në padi.

Sipas padisë, Kardashian promovoi EthereumMax në një postim të qershorit 2021 në Instagram, kur ajo kishte 250 milionë ndjekës në këtë rrjet social.

“A jeni të interesuar në kripto?” ajo shkroi në postim, e ndjekur nga mohimi “kjo nuk është këshillë financiare”, por se donte të ndante “atë që sapo më thanë miqtë e mi” në lidhje me argumentet për EthereumMax. Ajo përfshiu hashtagun #AD për të treguar se postimi ishte një reklamë me pagesë, thuhej në padi.

Mayweather promovoi EthereumMax në mbathjet e tij të boksit gjatë një ndeshje të shikuar gjerësisht me yllin e YouTube, Logan Paul, në qershor, ndër të tjerash.

Përfaqësuesit për media të Kim Kardashian dhe Mayweather nuk iu përgjigjën kërkesave të mediave për t’u prononcuar në lidhje me rastin.

EthereumMax, kompania, u përmend gjithashtu në padi.

“Rrëfimi mashtrues i lidhur me akuzat e fundit është i mbushur me dezinformata rreth projektit EthereumMax”, tha EthereumMax në një deklaratë. “Ne i kundërshtojmë akuzat dhe presim që e vërteta të dalë në shesh”.

Padia, e ngritur nga një banor i New Yorkut, i cili bleu tokenët EMAX dhe humbi para, propozohet si një padi e përgjithshme për këdo që bleu tokenët EMAX nga mesi i majit deri në fund të qershorit 2021.

Çështja kërkon kthimin dhe heqjen e fitimeve nga të pandehurit.

Çfarë është një token?

Teknikisht, “token” është vetëm një fjalë tjetër për “kriptomonedhat” ose “kriptoasetet”. Por gjithnjë e më shumë ajo ka marrë disa kuptime më specifike në varësi të kontekstit. E para është një përkufizim për të gjitha kriptovalutat përveç Bitcoin dhe Ethereum (edhe pse teknikisht janë gjithashtu tokena). E dyta është përkufizimi për disa asete dixhitale që funksionojnë në krye të një zinxhiri tjetër të kriptomonedhave, siç bëjnë shumë tokena të financave të decentralizuara (ose DeFi). Tokenët kanë një gamë të madhe funksionesh potenciale, nga ndihma për të bërë të mundur shkëmbimet e decentralizuara deri te shitja e artikujve të rrallë në videolojëra. Por të gjitha ato mund të tregtohen ose mbahen si çdo kriptomonedhë tjetër./